
Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili kërkon heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi.
Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka ka shtyrë seancën me argumentin se ish-kryeministri nuk e ka specifikuar në prokurë që të përfaqësohet nga avokatët. Seanca e radhës është caktuar më 8 mars ora 09:00.
"Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal "arrest në shtëpi" kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës.
Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues "arrest në shtëpi", nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë", njofton GJKKO.
Avokati Genc Gjokutaj tha për mediat se kanë paraqitur sërish kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Ai hodhi akuza se shtyrja e seancave po bëhet me qëllim që t’i djegin mandatin e deputetit Berishës Gjokutaj tha se seanca u shty pa asnjë shkak ligjor, pasi kishin paraqitur edhe dokumentin që Berisha është në dijeni të seancës, por edhe prokurën që të përfaqësohet nga avokatët në mungesë, por sipas tij kjo e fundit nuk u pranua nga gjyqtarja Gjoka.
“Sot kishim seancën e shtyrë nga seanca e kaluar me objekt revokimin e masës arrest në shtëpi për Berishën. Gjykata relatoi këtë seancë që Berisha ka marrë dijeni, nuk ka shprehur te fletëthirrje që të përfaqësohet nga avokatët në mungesë të tij. Por që dijenia e tij është shoqëruar me prokurë nga ana jonë me datën e sotme ku autorizon që ta përfaqësojmë.
Gjykata nuk e pranoi, në atë qëllimin e saj për të djeg mandatin e Berishës, e shty sërish pa asnjë shkak ligjor. Duke pasur të dokumentuar dijeninë e zotit Berisha edhe vullnetin e tij për t’u përfaqësuar në mungesë siç është përfaqësuar në të gjitha seancat me objekt procedural.
Irena Gjoka e ka kërkesën e përjashtimit bashkëlidhur, vetëm t’ia qepim në pallto. Kjo gjë do ketë edhe probleme të tjera sepse nuk e kërkojmë vetëm ne përjashtimin, ka dhe shkaqe të tjera. Do jeni në dijeni. Do bëni mirë të pyesni kryeministrin lidhur me këtë gjyq, se nga ai mund të merrni një përgjigje shumë më të saktë, se si do shkojë ky proces. Ai mund t’iu sqarojë vërtetë mirë se ai është gjyqtari i vërtetë i kësaj çështje”, tha Gjokutaj.