Rusia qëllon me raketa Kievin, ambasada shqipare mes objekteve të dëmtuara, Ministria e Jashtme: Sulm ndaj themeleve të diplomacisë

20 December 2024, 15:27Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rusia qëllon me raketa Kievin, ambasada shqipare mes objekteve të
Sulmi me raketa ruse në Kiev

Ambasada shqiptare në Kiev është dëmtuar ditën e sotme si pasojë e sulmeve me raketa ruse. Lajmi bëhet me dije nga Ministria e Jashtme, e cila njofton se si pasojë e një seri sulmesh ajrore të Rusisë në kryeqytetin ukrainas këtë të premte, është dëmtuar edhe ambasada shqiptare.

Sulmet prekën gjithashtu ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Për fat të mirë, në ambasadën shqiptare raportohen vetëm dëme materiale. Nga sulmet janë dëmtuar edhe ambasada e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Argjentinës, Portugalisë dhe Palestinës.

Të paktën një person raportohet se ka humbur jetën nga ky sulm, dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur, sipas informacioneve paraprake nga autoritetet ukrainase.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se e dënon ashpër këto sulme, duke i cilësuar si një akt të papranueshëm që godet themelet e diplomacisë ndërkombëtare. Në deklaratën e saj, Ministria theksoi rëndësinë e mbrojtjes së personelit diplomatik dhe paprekshmërisë së misioneve, duke kërkuar respektimin e këtyre parimeve të panegociueshme.

Deklarta e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:

Një seri sulmesh ajrore  të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.



Video