Rama tregon si nisi marrëveshja për emigrantët: Ma propozoi Meloni, i thashë e diskutojmë, pse jo...

14 November 2023, 21:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama tregon si nisi marrëveshja për emigrantët: Ma propozoi
Kryeministri Edi Rama në "Repolitix" Report Tv

Kryeministri Edi Rama ka treguar se kur nisën diskutimet me homologen italiane Giorgia Meloni, për të arritur më pas në firmosjen e marrëveshjes për strehimin e mijëra emigrantëve afrikanë në vendin tonë.

Rama tha se për herë të parë ia propozoi Meloni, shumë më herët se gjatë verës së këtij viti kur erdhi me pushime në Vlorë. “I thashë, e diskutojmë, pse jo”, u shpreh Rama.

“Është më larg se kaq, në një takim të mëparshëm që kemi pasur ajo më ka shpjeguar se cili është qëndrimi i saj në përgjithësi për këtë temë, dhe më ka pyetur pastaj nëse ne do të ishim të disponueshëm për ta diskutuar këtë bashkëpunim. Unë i thashë që kemi pasur kërkesa nga shtete të tjera dhe kemi qenë të mbyllur, por Italia është ndryshe dhe e diskutojmë.

Një nga temat kur erdhi për pushime ka qenë kjo, dhe e diskutuam gjerë e gjatë, dhe unë i thashë le të ngremë një grup të përbashkët. Na duhet një qartësi në aspektin e ndarjes së përgjegjësive dhe të drejtës ndërkombëtare i thashë. Ngritëm një grup të përbashkët dhe kemi pasur shkëmbime draftesh, në fund kemi rënë dakord për tekstin dhe e kemi firmosur pasi e kemi miratuar në qeveri dhe pastaj do e çojmë në parlament”, tha Rama gjatë një interviste në emisionin “Repolitix”.


Video