Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën kombëtare të Partisë Demokratike tha se kryeministri Edi Rama është bërë multi-miliarder me pasuritë publike të shqiptarëve.
Berisha tha se nga sot, kreu i qeverisë Edi Rama nuk është më kryeministër, por një kapobandë.
Sipas tij, Rama po tenton që t’ia mbyllë gojën opozitës me çdo kusht.
“Sonte u ngritën si uragan i shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky është një nga momentet më kritike të kombit. Shqipëria ka humbur rininë. Rama ka vendosur të bëhet multi-miliarderë me pasuritë tuaja publike.
Ka vendosur veten mbi ligjin dhe mbi çdo pushtet. Edi Rama, nga sonte ti kurrë nuk do njihesh si kryeministër, por si kapobandë. Rama ka tentuar t’ia mbyllë gojën opozitës”, tha Berisha.
Berisha, në fjalën e tij në protestën kombëtare, deklaroi se kryeministri Edi Rama "bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës".
"Të dashur miq, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës", tha Berisha.
"Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë. Miq, rrallë ndonjëherë ka vendosur, vetëm në disa vende të Afrikës, që qeveritarët të bëhen multi-miliarderë dhe miliarderë dhe qytetarët të varfërohen dhe të braktisin vendin e tyre.
Me paratë tuaja, Edi Rama ka vendosur vellon e zezë të censurës, paguan mediat e tij, të cilat glorifikojnë të keqen, i thurin lavdi krimit të tij, demonizojnë opozitën, mashtrojnë qytetarët. Me paratë që u grabit ju, ky armik i egër i qenies shqiptare, kontrakton lobistë, ish-ministra, ish-kryeministra, diplomatë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, për deklarata të paguara, për mashtrime ndërkombëtare, për beteja kundër opozitës. Të gjitha duke besuar se Shqipëria pa opozitë është projekt që do e realizojë së shpejti. Po ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbytëm etërit e tij 35 vjet më parë", shtoi Berisha.