Rama intervistë për ERT greke: Nuk ndërhyj te drejtësia për Belerin, kam ish-zëvëndësin tim në kërkim nga SPAK

30 August 2023, 18:28Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama intervistë për ERT greke: Nuk ndërhyj te drejtësia
Kryeministri Edi Rama intervistë për ERT greke

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot një intervistë për televizionin shtetëror grek “ERT”, duke komenduar disa prej çëshjeve të nxehta mes dy shteteve.

Rama e ka quajtur të pavërtetë deklaratën se minoriteti grek në Shqipëri trajtohet keq. Ai ka thënë se ky minoritet është një thesar për vendin dhe një urë bashkëpunimi mes dy shteteve.

“Kanë kaluar 80 vjet dhe Greqia ka ende ligjin e luftës, një arkaizëm i madh! Ne jemi interesuar që ta shohim të hiqet. Minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë, i bashkëjetesës dhe një urë e pazëvendësueshme për ta ushqyer miqësinë mes dy popujve, dy shteteve dhe patjetër mes dy qeverive, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë dhe Athinë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se drejtësia në Shqipëri është e njëjtë për të gjithë teksa u pyet për arrestimin e Fredi Belerit.

“Duhet të përgjigjet para ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, nuk mund të ketë dy drejtësi. Këta që i fryjnë këtyre erërave dhe mezi presin të nxjerrin zjarr, ka dhe shqiptarë që e përdorin si kartë krediti minoritetin grek. Por ata nuk mund të ankohen që po u shkelen të drejtat, këta të tjerët e bëjnë me sukses”, vijoi Rama.

Rama tha më tej se drejtësia e re sot është e pavarur dhe ai personalisht por edhe qeveria e tij, sa herë SPAK merr një çështje në dorë, vendos të mos ndërhyjë. Për ta ilustruar me një shembull, Rama tha se sot nga SPAK është në kërkim ish-zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj.

“Që në momentin kur SPAK futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, bën ekzakt të njëjtën gjë. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane, dhe nuk interferojmë në asnjë formë, mes asnjë rruge në punën e saj. Sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë ndaj zotërisë, por ky është njëri nga hallkat e këtij zinxhiri të krijuar të goditjes së problemeve me njerëz shumë pranë pushtetit. Sot ish-zëvëndësi im është në kërkim, prej vullnetit të kësaj drejtësie për të goditur pa parë”, tha më tej Rama.


Video