Kryeministri Edi Rama thotë se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë një pjesë të madhe të shërbimeve njerëzore në qeverisjen vendore si dhe atë qendrore.
Pasi zbuloi se përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian do ta bëjë përmes”ChatGPT”, Rama prezantoi edhe nismën e asistentit artificial për ofrimin e shërbimeve përmes portalit “e-Albania.
Por Inteligjenca artificiale, sipas Ramës, do të përdoret edhe për shmangien e korrupsionit me tenderat. Kreu i Partisë Socialiste tha gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS, se do të paraqesë në Kuvend ndryshime në strukturën e prokurimeve publike.
Sipas Ramës, Shqipëria ka procedura arkaike dhe një numër tepër të madh komisionerësh për prokurimet publike.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Për të gjithë ata që e harrojnë se për çfarë e kanë karrigen e dhënë nga kjo forcë politike, dhe pastaj kur i kap drejtësia presin mbrojtjen e partisë. PS të jep karrigen për qëllimet e shpallura publikisht, për ta mbajtur atë karrige, është përgjegjësia dhe nderi yt. Por pavarësisht se sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re, korrupsioni do të vijojë të mbetet një problem deri sa modernizimi dhe cilësia e shërbimeve nuk do të arrijë deri në masën e transformimit. Por koha na ka dhënë bekimin e teknologjisë digjitale dhe tashmë edhe të Inteligjencës Artificiale.
Shqipëria nuk ka më sportele, si pak vende në Europë sot. Për fat të mirë u mbyllën edhe sportelet e turpit, që ishin ato të hipotekave. Janë dhënë plot 11 milionë shërbime deri në nëntor të këtij viti.
Kam dëgjuar që thonë, mirë korrupsioni në radha, por tenderat. Në Shqipëri zhvillohet një numër tenderash që është sa një bashki e mesme. Numri i komisionerëve është sa numri i një bashkie të mesme, mijëra e mijëra. Proceset janë arkaike, pavarësisht se ligji ka avancuar. Ne po punojmë për t’i çuar parlamentit një projekt të ri për futjen e inteligjencës artificiale në prokurime dhe ndryshimit të strukturës së prokurimeve. Brenda këtij mandati do të prezantojmë prokurimet me Inteligjencë Artificiale, që do të thotë se do të prokurohet me procedura ku nuk do të ketë asnjë kontakt me komisionerët dhe çdokush sipër nuk do mund ta influencojë tenderin. Sepse të dhënat do të merren nga inteligjenca artificiale dhe jo nga kompania, dhe e gjitha kjo do të jetë transparente për të gjithë.