Pse po numërohet me ritme të ulta? Celibashi: Partitë të ndryshojnë me turne numëruesit, janë të lodhur! Kur pritet të dalin rezultatet

12 May 2025, 19:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse po numërohet me ritme të ulta? Celibashi: Partitë të
Ilirjan Celibashi

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë një deklaratë për mediat, tashmë që u mbushën 24 orë nga mbyllja e procesit të votimit dhe nisja e numërimit të votave.

Celibashi tregoi se ka përfunduar procesi i numërimit të votave për subjektet në 22 bashki dhe renditi KZAZ ku janë hasur problematika.

“Është mbyllur procesi i numërimit për 22 bashki. Janë 24 KZAZ nga 93 që kanë përfunduar procesin dhe kanë vendosur që për shkak të lodhjes të fillojnë nesër me votat për kandidatët e listës së hapur. Kemi një ndërprerje në dy KZAZ të Fierit, me ndërhyrjen tonë ka rinisur puna. Në 2 KZAZ në Pustec dhe Devoll ka përfunduar procesi dhe për kandidatët”, tha kryekomisioneri.

Celibashi foli dhe për ritmin e ngadaltë të numërimit të votave për të cilat si shkak tha se janë numëruesit e lodhur.

Për këtë arsye ai iu kërkoi subjekteve që të sjellin anëtarë të tjerë në KZAZ me turne, pasi vonesat nuk do të lejohen.

“Në përgjithësi procesi ka shkuar mirë, por kemi probleme me ecurinë normale. Kjo ecuri është kushtëzuar nga lodhja e numëruesve. Një pjesë e tyre kanë qenë dhe komisionerë gjatë procesit të votimit. Iu kemi bërë thirrje partive politike që të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Ata e dinë njerëzit që kanë propozuar dhe të ndërtojnë një sistem me turne. Është e pamundur që 24 orë një njeri të bëjë këtë punë që bëhet”, tha kreu i KQZ.

Gjithashtu, kryekomisioneri pranoi dhe vonesat në administrimin e votave të diasporës, kjo për shkak të përpunimit të dokumentacionit.

“Janë numëruar 13946 zarfe nga 194 mijë vota të diasporës. Po merr koha vlerësimi i dokumentacionit të votuesve nga jashtë, kjo për shkak të përpunimit. Dje humbëm kohë për shkak të debateve për votat nga Greqi. Procesi eci ngadalë pasi ishte një eksperiencë e re”, tha Celibashi.

Bashkë me votën e emigrantëve, Celibashi tha se brenda kësaj jave pritet të ketë një rezultat.

“Brenda kësaj jave do ta kemi, por varet shumë nga mënyra sesi partitë politike, PS dhe PD që kanë njerëz të angazhuar do të organizojnë personat e tyre”, tha Celibashi.

 


Video