
Pas akuzave që kanë lëshuar për financimin rus në PD dhe pas raportit të CIA-s që e konfirmonte një gjë të tillë, sot Partia Socialiste i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë kreut të SPAK që të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje.
Nga Kryesia, në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla tha se SPAK duhet të thërrasë urgjentisht Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, të cilët sipas tij “kanë ngjyer gishtat në çorbën e rublave ruse” dhe të japin shpjegime.
“Nënqeshnit kur ne ju tregonin që PD ka marrë financime ruse dhe kur shërbimi sekret amerikan CIA-n me dokumente konfirmoi që PD ka marrë financime ruse. Kjo çështje nuk është më një çështje për të pasur dyshime.
Në një vend anëtar të NATO-s keqardhja ime më e madhe është që ende SPAK nuk ka filluar një hetim sesi një parti politike ka përfunduar në borderotë e Kremilinit.
I bëj thirrje Krajës që për çështje të sigurisë kombëtare kjo prokurori të nisë menjëherë këtë çështje. Urgjent të thirren Basha Berisha që kanë ngjyer gishtat dhe xhepat e PD në çorbën e rublave ruse.
I bëj thirrje çdo demokrati të këtij vendi, që në këto kushtet që na duhet sa më shumë solidaritet me Kosovë, të heqë dorë nga shpërdorimi i saj çfarë ka mbetur nga PD për interesat e ngushta të një individi”, tha Balla.