Situata e tensionuar në zonën e Baks-Rrjollit në Shkodër, ku prej ditësh banorët kundërshtojnë ndërtimin e resortit të bashkim Ulajt është kthyer në një përplasje politike mes opozitës dhe qeverisë.
I pyetur nga gazetari Osman Stafa mbi qëndrimin e Partisë Demokratike, kreu i saj, Sali Berisha, deklaroi se PD “qëndron prapa çdo pronari të ligjshëm” dhe fajësoi drejtpërdrejt qeverinë për situatën e krijuar.
Berisha theksoi se asgjë nuk e pengon opozitën të mbështesë banorët, por shtoi se përgjegjësia kryesore për konfliktet mbi pronat bie mbi institucionet shtetërore, të cilat sipas tij nuk duhet të japin leje pa garantuar më parë zgjidhjen e plotë të çështjeve të shpronësimit dhe dëmshpërblimit.
"PD qëndron prapa çdo shqiptari që i cenohet e drejta, i cenohet prona.
Asnjë gjë.
Asnjë pengesë nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Deputetët tanë kanë qenë aty.
Në qoftë se ju mendoni se PD do të jetë pjesë në çdo protestë, kjo besoj se është... PD mbështet çdo protestë të drejtë.
Dhe, të them një gjë këtu, kemi ndërtuar më shumë se kushdo në histori dhe më shumë se kurrë dhe nuk kemi pasur absolutisht, përveçse në një rast, asnjë protestë nga pronarët për shpronësimin e tokave të tyre.
Pse?
Sepse nuk kemi bërë asnjë hap pa i dëmshpërblyer ose pa firmosur marrëveshjen me ta se në këtë kohë do marrin paratë.
Dhe do u jap një shembull.
Rruga e Kombit ka bërë shpronësimet më të mëdha dhe ajo është ndërtuar duke bërë dizajnin dhe duke ndërtuar.
Çfarë bëmë ne?
Ne krijuam një ekip ekspertësh kompetentë dhe e bashkëngjitëm me dizajnin me një qëllim të vetëm, që aty ku vihej vija për të marrë tokën, negociohej me pronarin, i ofrohej shpërblimi, firmosej kontrata me të dhe nga Rrësheni gjer në Morinë, nuk ka pasur asnjë protestë sepse nuk ndërtohej pa zgjidhur problemin e pronësisë.
Atëherë, çfarë duhet të them me këtë?
Përgjegjës kryesor për këtë është qeveria, e cila në asnjë rast nuk duhet të firmosë asnjë leje pa marrë garanci të plotë se është zgjidhur plotësisht problemi me pronarët.
Kurse qeveria merr paratë vetë dhe i lëshon lejet sipas dëshirës.
Ne, qoftë në Rrjoll, qoftë kudo që dalin, ne mbështesim plotësisht pronarët e ligjshëm.
Ne nuk pranojmë kurrë arbitraritetin ndaj tyre.
Ata që përpiqen ta politizojnë, ata mashtrojnë.", tha Berisha.