Grupi Parlamentar i PD-së i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar nga radhët e vetë edhe katër deputetë të tjerë, duke ia bërë me dije edhe Kuvendit përmes një shkrese.
Bëhet fjalë për deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj dhe arsyeja sipas njoftimit ka qenë mosdistancimi nga ngjarja e 8 Janarit të vitit të kaluar, ku u regjistruan skena dhune në selinë e PD-së.
Nuk dihet se si është marrë ky vendim, por në njoftim thuhet se është bazuar në vendimin e mbledhjes së Kryesisë së Partisë më 10 Janar të vitit që shkoi.
Më herët, nga grupi parlamentar i PD-së, përveç Sali Berishës, janë përjashtuar edhe Flamur Noka, Luan Baçi, Albana Vokshi dhe Edmond Spaho.
Njoftimi:
Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.