Ish-zyrtarja e Ahmetajt me qindra mijëra euro në banesë/ Rama: T'u shkohet deri në fund parave të pista

9 January 2023, 17:38Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-zyrtarja e Ahmetajt me qindra mijëra euro në banesë/ Rama:
Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi ngjarjen e zbuluar nga policia ku u zbardh dinamikën e vjedhjes së 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori nga Rozetas dhe Havier Dobi, ku një pjesë prej tyre i përkisnin Alda Klosit alias Çiko, e cila ka qenë Drejtore Kabineti pranë ish-ministrit të Rindërtimit dhe ish-Zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Rama shkruan se Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin dhe këtë veprim e konsideron si vullnetin e kësaj Qeveria kundër korrupsionit.

Ai kërkon që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!

E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!

Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”, shkruan Rama.


Video