
10 kandidatë kanë shprehur interesin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me vakancën që do të krijohet me largimin e Përparim Kalos, të cilin i përfundon mandati më 8 prill 2022.
Presidenca ka bërë publik emrat e kandidatëve që aplikojnë për vendin vakant. 6 prej tyre janë gra dhe 4 të tjerë burra, mes të cilëve bie në sy emri i ish-kryeprokurores së përgjithshme Arta Marku, por edhe emri i kryetarit të KLP, Gent Ibrahimi.
Kandidatët janë Ardita Buna, Arta Marku, Arta Vorpsi, Besnik Dervishi, Elida Take, Gent Ibrahimi, Juliana Latifaj, Maksim Qoku, Manjola Xhaxho dhe Sandër Beci.
Lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit.