Gjykata e Lartë shqyrton sot rekursin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, përmes të cilit kërkon heqjen e masës së sigurisë arrest shtëpie, ku ndodhet që prej 30 dhjetorit.
Në orën 13:30, një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Sokol Binaj do të shqyrtojë në Dhomë Këshillimi rekursin e bërë nga ish-kryeministri.
Nëpërmjet avokatëve Berisha kundërshton ashpërsimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit në arrest në shtëpi, të lëna në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Apeli i GJKKO.
Berisha është në hetim për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, gjatë kohës kur ai ishte kryeministër.
Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, gjithashtu në arrest shtëpie, në përfitimin e pronave të truallit. Malltezi më pas ndërtoi komplekse pallatesh në atë tokë.