Fjalimi i fortë për Kosovën në KiE trazon partitë e djathta, grupi i PPE refuzon darkën e Ramës

12 October 2022, 22:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fjalimi i fortë për Kosovën në KiE trazon partitë e
Edi Rama duke folur ne KiE

Fjalimi i fortë i kryeministrit Edi Rama përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë që të rrëzojnë rezolutën e miratuar 11 vjet më parë, mbi bazën e raportit te Dick Marty-t ka trazuar partitë e djathta evropiane.

Grupi i Partive Popullore Europiane dhe Kristiandemokrate (PPE/DC) ka refuzuar ftesën e Ramës për një darkë pune, ku kishte ftuar krerët e shteteve pjesëmarrëse.

“Me keqardhjen time të thellë, pas ndërhyrjes sot pasdite në Kuvend të Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, Komiteti Presidencial ka marrë vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit për një darkë pune”, tha kreu i këtij grupi, Aleksandër Pociej

Ishte deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i cili ka bërë publik edhe emailin e anulimit të ftesës për Edi Ramë.

“‘Pas fjalës së turpshme, arrogante dhe me tone fyese sot ndaj eurodeputetëve, lidershipi i Këshillit të Europës tërheq mbrapsht dhe anullon ftesën për darkë pune drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë. Vendi ynë meriton më shumë, meriton një Kryeministër dhe qeverisje normale dhe jo një klloun e palaço cirku!”, shkruan Belind Këlliçi në Facebook.

Gjatë fjalës së tij në KiE, Rama theksoi se raporti i Dick Marty është një fantazi e pastër, e mirë fabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë inteligjente e trafikuar e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë këtu në tempullin e të drejtave të njeriut.

Rama e krahasoi ish-presidentin Hashim Thaçi me presidentin ukrainas Volodymir Zelenksi.

“Duke menduar për atë çka ju thashë më parë, përpiquni të përfytyroni presidentin Zelensky 10 vjet më pas, që bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale saç është presidenti Thaçi sot sepse Kremlini dhe Moska tanimë ka nisur të thotë se ka trafikim. Kështu që, jini të përgatitur për këtë”.

Kryeministri Edi Rama ftoi Asamblenë që të njohë Kosovën me emrin e saj real dhe ta pranojë në Këshillin sa më për atë si shtet të pavarur.

Për sa i përket qëndrimeve të shumta në Asamble të përfaqësuesve serbë, rumunë, grekë e zviceran për fjalimin e mbajtur, Rama deklaratat për mediat, i cilësoi si normale.

“Do ta ndjenja si indiferencë. Fakti që pati kaq debat tregoi se mesazhi shkoi në thellësi. Gjëja është më e rëndë se sa thashë unë. Është si një bombë në mes të megjelisit. Është gatuar një çorbë. Kjo historia për trafikimin e organeve shkon përtej Hashim Thaçit”.

Pas paraqitjes së kërkesës zyrtare të Shqipërisë për rishikimin e rezolutës së miratuar për raportin e Dick Marty-t, Asambleja e Këshillit të Europës pritet ta shqyrtojë në sesionin e janarit të vitit të ardhshëm.

 


Video