Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron nuk arriti që të përfundonte vizitën e tij në Tiranë për shkak të mbledhjes urgjente në vendin e tij, ku kryeministri Rishi Sunak shpalli zgjedhjet e parakohshme.
Ishte planifikuar që Cameron të takohej edhe me Presidentin Bajram Begaj, por për shkak të ndryshimit të axhendës në Britaninë e Madhe iu desh ta anulonte.
E kështu Sekretari i Jashtëm, David Cameron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e shtetit pas vizitës së tij në Tiranë.
Zyra për Punët e Jashtme të Britanisë njoftoi nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale se çfarë biseduan të dy.
“Ata diskutuan rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një aleate të ngushtë të NATO-s dhe riafirmuan qëndrimin e palëkundur për Ukrainën dhe përballjen me sfida rajonale”, tha Zyra për Punët e Jashtme në Britani.
Vizita e David Cameron këtë të mërkurë në Shqipëri ishte një nga më të shkurtrat e zhvilluara nga ndonjë zyrtar i huaj në Tiranë. Ai qëndroi vetëm 80 minuta në tokën shqiptare ku u prit vetëm nga kryeministri Edi Rama me të cilin pati edhe një konferencë për shtyp.