Dy ditë kanë kaluar nga intervista e ish-ministrit Arben Ahmetaj, dhe një pjesë e opozitës në Shqipëri janë ende duke analizuar atë çfarë tha, çfarë nuk tha dhe çfarë duhet të kishte thënë ai në intervistën me Çim Pekën.
Ndërsa ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj është munduar të shpjegojë se përse Arben Ahmetaj nuk tha ato që publiku në fakt priste të dëgjonte. Sipas saj, qytetarët prisnin që Arben Ahmetaj të dilte me fakte konkrete, foto dhe video, normalisht siç ngrihet një akuzë për të mos u konsideruar si shpifje, apo thjesht hakmarrje personale. Por diçka të tillë s’mund ta bënte sepse, sepse sipas Shehajt, Ahmetaj s'mund të “inkriminonte veten”.
Kështu, ajo ka identifikuar nga intervista e Ahmetajt 6 pika, sesi ish-ministri dhe numri dy i qeverisë Rama, i shpallur në kërkim për 3 akuza nga SPAK, “fshehje të ardhurave”, “pastrim parash” dhe “korrupsion”, bëri ndaj ish-kolegëve të tij socialistë.
Sipas Shehajt, deklaratat e Ahmetajt për Edi Ramën, Erion Veliajn, mundësinë e arratisjes së Damian Gjiknurit dhe pjesa kur tha që “hetoni Tiranën se do zbuloni çudira”, janë të mjaftueshme për t’i çuar peshë zemrat e opozitës, që të ngrihet në një aksion të fuqishëm për rrëzimin e autokracisë në vend.
Statusin e saj në Facebook, Shehaj e mbyll me thirrjen që opozita të çohet për të rrëzuar autokracinë në vend, duke mos i mbajtur shpresat që e gjithë qeveria të shkojë në aktin sublim të vetëdorëheqjes kolektive, pas deklaratave që Ahmetaj lëshoi te Çim Peka.
