Opozita të kthehet në kuvend/ Duka: Rëndësi ka produkti, jo përbërja në ‘Zgjedhore’

2 February 2024, 23:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Opozita të kthehet në kuvend/ Duka: Rëndësi ka produkti, jo
Gazetarja Dafina Hysa dhe Agron Duka

Kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste Agron Duka, bën thirrje për rikthimin e opozitës në kuvend. I ftuar në Breaking me Dafina Hysën në Top News, lidhur me debatet për bashkëdrejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, deputeti Duka tha se ka më shumë rëndësi produkti, sesa përbërja.

Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur me deputetët e PS-së dhe ato të PD-së zyrtare. Mendoni se do të arrihet në vendimmarrje nga këto forca, apo do të ketë gjithëpërfshirje siç rekomandojnë ndërkombëtarët?

"Reforma Zgjedhore nuk mund të jetë e njëanshme. Një reformë e qëndrueshme bëhet kur ka konsensusin e palëve kryesore. Por për mua ka rëndësi produkti. Është mirë që 4 pikat e propozuara nga ne, mbështeten edhe nga grupi Basha por dhe disa deputetë të tjerë. Nëse kjo arrihet, merr rëndësi të dorës së dytë nëse ka apo jo përbërje të të gjitha palëve. Nëse Basha nuk tërhiqet por i arrin këto pika do ishte sukses për gjithë opozitën".

Do t'i bashkoheni protestave nga e hëna që njoftoi deputeti Noka, apo do të merrni në komisione?

"Të hënën nuk do të jem për një çështje familjare".

Por nuk mund të vazhdojë në infinit aksioni opozitar. Parlamenti duhet t'i kthehet jetës normale. Çfarë po arrihet me këto veprime ekstreme?

"Do të shkoj në Komisionin e Reformës Zgjedhore, nëse zhvillohet fizikisht, por jo online, sikur po bëjmë pazar supermarketi".

Duke analizuar shkaqet që çuan në këtë situatë opozitën, Duka përmendi si veprim ekstrem daljen nga parlamenti. Duka theksoi se pa largimin e Berishës dhe Bashës nga drejtimi, opozita nuk ka asnjë mundësi të bijë në pushtet.

"Rama qepi kostumin sipas trupit. Ai është 2 metra, kostumi i tij s’na rri. Bëri Reformën Zgjedhore, siç deshi dhe jemi ende në ato kushte.

Nëse opozita nuk bashkohet rreth një agjende, nuk ka asnjë mundësi të vijë në qeveri.

Berisha dhe Basha duhet të tejkalojnë veten e tyre për hir të opozitës, duhet të largohen nga drejtimi".

Duka jep edhe sugjerimet për kapërcimin e krizës dhe bashkimin e opozitës.

"Të caktohen 3 apo 4 koordinatorë, që të caktojnë agjendën, të koordinojnë edhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët që i kemi shumë dobët.  Janë bërë gabime të tmerrshme më herët nga opozita”, tha Duka.

 


Video