Berisha "s'guxon" të flasë për audiopërgjimin e 21 janarit: Nuk komentoj unë disa tabela shkrimi

23 January 2023, 12:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha "s'guxon" të flasë për audiopërgjimin
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideron një manipulim të Ardit Veliut, i cili është aktualisht drejtor Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, audiopërgjimin në të cilin dëgjohej një komunikim në radio i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi ku i jepte udhëzim dhe urdhra vartësve të tij.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se i takon mediave të thonë të vërtetën në lidhje me audiopërgjimin dhe shtoi se gjithçka është krijuar nga Veliu.

“Së pari, që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje. I takon mediave të thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë disa tabela shkrimi që paraqiten si audiopërgjim dhe që nuk eksiztojnë, nuk u paraqit kurrë audio.

Por dëshmoi qartësisht se është një manipulim dhe falsifikim. Është gjithçka krijesë e Ardi Veliut”, theksoi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideron 21 janarin një ngjarje tragjike dhe një grusht shteti për të marrë pushtetin me dhunë.

Sipas tij, Rama nuk u paraqit në prokurori edhe pse u thirr për të dëshmuar.

“21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekje për një grusht shteti, marrje pushteti me dhunë nga ata të cilët unë i kam denoncuar me kohë. Komuniteti ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë qeveria e SHBA-ve, ka insistuar me të madhe, në atë periudhë që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës.

Edi Rama është personi kryesor, organizator i dhunës. Edi Rama nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokurori, ndonëse u thirr për të dëshmuar. Edi Ramën do ta ndjekë gjithë jetën, përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Ai është i faktuar si organizator, në mënyrën më të pakundërshtueshme”, theksoi ai.


Video