Pikëpyetje mbi mbrojtjen e Detit të Zi nga Bashkimi Evropian, pas sulmeve vdekjeprurëse me dronë

7 October 2026, 18:37Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pikëpyetje mbi mbrojtjen e Detit të Zi nga Bashkimi Evropian, pas

Bashkimi Evropian ka një plan për të garantuar sigurinë në Detin e Zi. Por vetëm pak ditë pasi sulmet me dronë shkaktuan dëme përgjatë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë, duke fundosur anije tregtare dhe vrarë dy persona, janë shtuar pikëpyetjet se sa e aftë është Brukseli për të mbrojtur këtë hapësirë detare.

Dronët kanë lënë pas një gjurmë shkatërrimi në Detin e Zi, duke fundosur anije tregtare, duke përfshirë në flakë mjete lundruese dhe duke shkaktuar viktima civile.

Ngjarjet kanë nxjerrë në pah sfidat me të cilat përballet Europa në mbrojtjen e një prej rajoneve të saj më të ekspozuara detare, shkruan Euronews.

Kryeministri bullgar Rumen Radev e cilësoi të martën një sulm me dron, rreth 130 kilometra larg brigjeve të vendit, si “absolutisht të papranueshëm”. Një anije tregtare u fundos dhe një tjetër u dëmtua. Radev nuk ia atribuoi sulmin një pale të caktuar, ndërsa hetimi vijon.

Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana-Silvia Țoiu, e përshkroi një incident vdekjeprurës të ndodhur një ditë më parë pranë brigjeve rumune si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.

Të hënën, një anije mallrash në pronësi turke, e cila transportonte grurë ukrainas, mori flakë dhe më pas u fundos pranë Rumanisë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se anija ishte sulmuar nga dronë rusë. Dy persona në bord humbën jetën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi të dy incidentet.

“Situata në Detin e Zi është gjithnjë e më shqetësuese. Sulmet ndaj transportit civil detar janë të papranueshme”, tha ajo.

Incidentet kanë rikthyer vëmendjen te aftësia e Europës për të mbrojtur transportin detar dhe infrastrukturën kritike në Detin e Zi, më shumë se një vit pasi BE-ja lançoi një strategji për forcimin e sigurisë në këtë rajon.

Kur Strategjia e Sigurisë për Detin e Zi u prezantua në maj 2025, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se rajoni po përballej me pasojat e përhapjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Rajoni i Detit të Zi është objektivi kryesor i veprimeve hibride. Bashkimi Evropian synon të forcojë bashkëpunimin për të luftuar sulmet kibernetike, dezinformimin dhe veprime të tjera armiqësore”, deklaroi ajo.

Sipas Kallas, shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore dhe sulmet ndaj porteve dhe rrugëve detare e dëshmojnë këtë realitet.

Strategjia synonte garantimin e sigurisë së këtij korridori detar, si dhe mbrojtjen e infrastrukturës dhe aseteve kritike, përfshirë instalimet në det dhe kabllot nënujore.

Ajo parashikonte gjithashtu krijimin e një Qendre për Sigurinë Detare të Detit të Zi, e cila do të koordinonte mbështetjen dhe do të forconte bashkëpunimin mes rojeve bregdetare. Qendra do të analizonte edhe të dhënat e sensorëve në shtratin e detit dhe do të paralajmëronte aleatët për rreziqe dhe kërcënime të mundshme.

I pyetur për efektivitetin e strategjisë pas incidenteve të fundit, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, tha se në rajon janë nisur 65 projekte me një vlerë prej 200 milionë eurosh si rezultat i kësaj politike.

“Në këtë kontekst, Agjencia Evropiane për Sigurinë Detare i ka ofruar mbështetjen e saj autoriteteve rumune dhe bullgare, në përputhje me rolin e saj për ofrimin e mbështetjes evropiane për sigurinë detare dhe ndërgjegjësimin mbi situatën”, tha ai.

Sipas Wigand, Rumania dhe Bullgaria kanë kërkuar imazhe satelitore për të përmirësuar monitorimin e situatës pas sulmeve dhe BE-ja aktualisht po ua siguron ato.

Për Qendrën e Sigurisë Detare të Detit të Zi, Wigand tha se bëhet fjalë për një projekt të udhëhequr nga Rumania dhe Bullgaria, që synon të përmirësojë monitorimin e situatës detare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Një raport i Komisionit Evropian mbi zbatimin e Strategjisë së BE-së për Detin e Zi, publikuar në korrik, konfirmoi se dy vendet kanë zhvilluar së bashku konceptin për qendrën, e cila do të synojë, ndër të tjera, përballimin e kërcënimeve komplekse hibride.

Pas incidentit në Bullgari, ministrja e Jashtme rumune tha të martën se qendra do të ketë vendndodhje në dy portet kryesore të vendeve, përkatësisht në Konstancë dhe Varna.

Mangësi në kapacitetet mbrojtëse

Një kopje e rrjedhur e raportit vjetor të BE-së për gatishmërinë në fushën e mbrojtjes tregon se Europa ka mangësi të konsiderueshme në kapacitetet e saj mbrojtëse, veçanërisht në fushën e luftës detare.

Dokumenti, i përgatitur nga Agjencia Evropiane e Mbrojtjes me kontributin e Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm, vlerëson nëse 27 shtetet anëtare janë në rrugën e duhur për të arritur gatishmërinë e plotë mbrojtëse deri në vitin 2030.

Megjithëse qeveritë e BE-së planifikojnë të investojnë rreth 98.9 miliardë euro gjatë periudhës 2024-2029 në kapacitetet detare, raporti evidenton mangësi në një sërë operacionesh të forcave detare.

“Mangësi kritike mbeten edhe në rezervat e municioneve dhe raketave detare, në mbrojtjen e integruar ajrore dhe kundër raketave të forcave detare, në kapacitetet e goditjeve me rreze të gjatë dhe në mbrojtjen e infrastrukturës në shtratin e detit”, thuhet në raport.

Për zgjidhjen e problemit, raporti rekomandon tre drejtime kryesore: zhvillimin e monitorimit të hapësirës detare, balancimin e investimeve mes platformave të mëdha luftarake dhe kapaciteteve të goditjes detare, si dhe investimin në kapacitete mbështetëse, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës nënujore.

Eksperti i sigurisë detare në European Policy Centre, Mihai Sebastian Chihaia, tha se Deti i Zi ka marrë shumë pak vëmendje në debatin më të gjerë evropian për mbrojtjen dhe se strategjitë, të vetme, nuk janë të mjaftueshme.

“Ne kemi mjaft strategji, kemi mjaft drejtime, por për ta siguruar realisht Detin e Zi, në fakt nevojiten kapacitete”, tha ai për Euronews.

Sipas Chihaia, këto kapacitete duhet të përfshijnë edhe operacione për mbledhjen e informacionit, si sensorë dhe radarë. Ai argumentoi gjithashtu se NATO, si shtylla kryesore e mbrojtjes kolektive evropiane, mund të zhvillojë një strategji të posaçme për Detin e Zi.

Pas incidenteve me dronë të ndodhura në fillim të kësaj jave, Rumania, Bullgaria dhe Turqia kanë theksuar se po koordinojnë përpjekjet për forcimin e sigurisë në rajon.

Megjithatë, Chihaia tha se ende mungon një vizion më i gjerë për arkitekturën e ardhshme të sigurisë në Detin e Zi. Sipas tij, pavarësisht diskutimeve të zhvilluara prej vitesh, NATO ende nuk ka miratuar një strategji të tillë.

“Kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.

Chihaia theksoi se roli i Komisionit Evropian është të përcaktojë drejtimet dhe të ofrojë ide për shtetet anëtare, përfshirë mundësi financimi si programi i huave të mbrojtjes SAFE.

“Qëllimi është të nxiten shtetet anëtare të punojnë së bashku, të zhvillojnë zgjidhje të reja teknologjike dhe t’i integrojnë ato”, tha ai.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, deklaroi se Bullgaria dhe Rumania “luajnë një rol thelbësor në mbrojtjen e krahut lindor” të Europës, duke shtuar se dy vendet po përfitojnë së bashku 20 miliardë euro përmes programit SAFE.


Video