Një grua kandidate për të drejtuar OKB-në, Rama: Pse Shqipëria do mbështesë kandidaten nga Emiratet e Bashkuara Arabe

22 October 2026, 21:28Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një grua kandidate për të drejtuar OKB-në, Rama: Pse
Lana Nusseibeh

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në një postim, Rama e cilësoi kandidaturën e saj si një mundësi të re për OKB-në, në një kohë kur organizata po përballet me sfida të mëdha dhe pikëpyetje për aftësinë e saj për të përmbushur misionin.

Kreu i qeverisë thotë se e ka njohur personalisht Nusseibeh gjatë kohës kur Shqipëria ishte anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai vlerësoi njohuritë e saj për politikën ndërkombëtare, aftësinë për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe për të bashkuar këndvështrime të ndryshme.

Sipas Ramës, kandidatura e saj sjell përvojë, inteligjencë dhe përkushtim në shërbim të njerëzimit, pa paragjykime. Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së një gruaje në krye të organizatës, pas shumë burrave që kanë mbajtur këtë post.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

Kandidimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri, një mundësi që bashkësia e OKB-së nuk mund ta lërë t’i ikë, dhe Shqipëria ka nderin t’i japë kandidaturës së saj mbështetjen e plotë e të pakursyer.

E njoha personalisht Lanën dhe e pashë në veprim gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kur pata mundësinë të vlerësoja njohuritë e saj të jashtëzakonshme për politikën ndërkombëtare, përulësinë e saj të veçantë intelektuale dhe dhuntinë e natyrshme për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve.

Në zymtësinë që mbështjell sot Kombet e Bashkuara, kandidatura e Lanës është një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive, sepse, në një kohë kur aftësia e organizatës për të përmbushur misionin e saj vihet kaq thellësisht në pikëpyetje, ajo sjell përvojë, inteligjencë dhe një përkushtim të palëkundur për t’i shërbyer njerëzimit pa asnjë paragjykim.

Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, pas kaq shumë burrash në krye, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua me një staturë të tillë.


Video