Kongresmenia e njohur e së majtës kritikon Qeverinë shqiptare, për protestën

22 October 2026, 15:17Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kongresmenia e njohur e së majtës kritikon Qeverinë shqiptare,

Kongresmenia amerikane Alexandria Ocasio-Cortez, e konsideruar si ylli në ngritje i së majtës, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalë atë që ajo e cilëson si represion të dhunshëm ndaj protestuesve.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Ocasio-Cortez tha se gjatë javës së fundit ka marrë mesazhe nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë shprehur shqetësim për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri.

“Po i bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalë represionin e dhunshëm ndaj protestuesve, si dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve”, shkroi kongresmenia amerikane.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë protestat e të rinjve, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.

Edhe kongresmeni amerikan Ritchie Torres ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri, duke kërkuar ndalimin e veprimeve të policisë dhe uljen e tensioneve.

Torres u shpreh se është thellësisht i shqetësuar për shpërthimin e dhunës ndaj protestuesve, ndërsa i cilësoi veprimet e policisë shqiptare si të papranueshme.

“Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, policia duhet të respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe të ruajë shtetin e së drejtës”, shkroi kongresmeni amerikan.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për shtensionimin e situatës dhe ndalimin e dhunës, duke kërkuar që zhvillimet në Shqipëri të mos përshkallëzohen më tej.

Ritchie Torres përfaqëson distriktin e 15-të të New Yorkut në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, që përfshin një pjesë të Bronxit.


Video