
Këngëtarja e njohur Elsa Lila ka reaguar për ndarjen nga jeta të avokatit Saimir Vishaj. Elsa Lila, e cila është edhe mbesa e Vishajt, thotë se nuk e ka menduar kurrë se do të ndante këtë lajm për dajën e saj.
“Nuk mendoja kurrë që do të ndaja lajmin e ikjes tënde Daja Saimir! Me hidhërim të thellë ku presim në Funeral Alba 2000 për Përshëndetjen e fundit”, shkruan Elsa Lila.
Vishaj u nda sot nga jeta në moshën 60-vjeçare. Mësohet se ditën e diel, Vishaj ishte transportuar me urgjencë tek Trauma, pas dyshimeve se kishte rënë nga shkallët.
Gjendja e tij ishte paraqitur kritike dhe mjekët e kishin vendosur në intubim, por nuk mundi të mbijetonte.
Saimir Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare, me një karrierë që nisi në vitin 1996. Që nga viti 2009, drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.
Gjatë karrierës së tij ka mbajtur një sërë funksionesh si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi si dhe Komitetit të Disiplinës.
Në gusht 2025, Vishaj kishte rrëfyer publikisht faktin se kishte kaluar një betejë të vështirë me jetën. Ai tregoi se kishte qëndruar në koma dhe në intubim. Madje, kishte bërë dhe një ndërhyrje në Itali.