VIDEO: Nëna lind në Oqeanin Paqësor, pamjet ‘bëjnë namin’ në rrjet

3 June 2022, 10:05Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VIDEO: Nëna lind në Oqeanin Paqësor, pamjet
Nëna lind në Oqeanin Paqësor

Një grua ka bërë bujë në internet, pasi ka shpërndarë video të saj duke sjellë në jetë djalin e saj në ujërat e Oqeanit Paqësor. Josy Peukert, 37 vjeçe, postoi video nga dita e lindjes së saj në bregun e Playa Majagual, Nikaragua.

Ajo e lindi foshnjën pa ndihmë mjekësore, pasi refuzoi skanimet gjatë gjithë shtatzënisë. Foshnja Bodhi Amor Ocean Cornelius lindi më 27 shkurt.

“Unë e mora këtë nismë me kokën time, doja të lindja në oqean dhe për shkak se kushtet ishin të përshtatshme atë ditë, kjo është ajo që bëra, – citohet të ketë thënë Josy nga “Daily Mail”.

"Për javë të tëra monitorova valët dhe kështu, kur ishte koha e duhur për të lindur, e dija se plazhi do të ishte i sigurt për ne".

Kur Josy e dinte se do të fillonte lindjen, fëmijët e saj qëndruan me miqtë, ndërsa partneri e çoi në plazh me një çantë veglash për lindje, që përfshinte peshqirë, një tas me një sitë për të kapur placentën, garzë dhe facoleta letre.

Ajo shtoi: "Dallgët kishin të njëjtin ritëm si kontraktimet, ajo rrjedha e qetë më bëri të ndihesha shumë mirë". Ndërsa një video tregon Josy duke u gjunjëzuar në serf, teksa iu nënshtrohet kontraktimeve të saj. Një video tjetër e tregon duke mbajtur djalin e saj të porsalindur, i cili e ka ende kordonin e kërthizës të lidhur, në ujë.

"Pasi lindi Bodhi dhe u mbështoll me peshqir, u ktheva në oqean për t’u freskuar. Më pas u vesha dhe paketuam gjithçka, u nisëm për në shtëpi ku të tre u futëm në shtrat. Më vonë, atë mbrëmje e peshuam Bodhin me peshore. Ai ishte 3.5 kg", – tha nëna.

Josy shpjegoi pse donte që fëmija i saj të lindte pa ndërhyrje mjekësore. "Lindja ime e parë ishte traumatike në një klinikë, lindja e dytë ndodhi në shtëpi, por në të tretën edhe një mami në shtëpinë time ishte shumë. Këtë herë nuk kisha asnjë takim me mjekun, nuk bëra as skanime apo ndikime të jashtme.

Nuk kishim një datë të caktuar ose afat për ardhjen e foshnjës, ne thjesht besuam se fëmija ynë do të bënte rrugën e tij. Nuk kisha frikë apo shqetësime për të mirëpritur një shpirt të ri të vogël në jetën tonë, vetëm unë, partneri dhe valët. Ishte e bukur. Rëra e butë vullkanike nën mua më kujtoi se nuk ka asgjë tjetër mes qiellit dhe tokës, vetëm jetë".

 


Video