
Kush është i vaksinuar, ka një rrezik më të vogël të zhvillojë simptoma “Long-Covid” – kështu quhen simptomat si lodhja kronike apo sëmundje të tjera që të shëruarit shpesh informojnë pas infektimit me Corona.
Këtë e tregon një studim paraprak i mjekëve të klinikës universitare “Bar-Ilan” në Safed, Izrael, i cili u publikua më 25.01. në revistën shkencore “Nature”. Rastet që kanë marrë në shqyrtim mjekët, lidhen të gjitha me fazën e parë të fushatës së vaksinimit, pra nga marsi 2021.
Studiuesit kanë pyetur për projektin e tyre më shumë se 3000 vetë të testuar me PCR për simptoma të mundshme Long-Covid. 951 prej tyre ishin provuar si të infektuar. Rezultati të jep të dhënat e para, se imunizimi bazë të ndihmon të mposhtësh më mirë infeksionin. “Kjo është një arsye tjetër për vaksinimin”, thotë Michael Edelstein, epidemiolog në këtë universitet.
Vaksina të mbron me mënjanimin e infektimit, por edhe nëse je infektuar, ecuria e sëmundjes është më e butë. Kjo reflektohet edhe tek pasojat afatgjata të atyre që janë sëmurur me COVID-19.
Sipas studimit, të vaksinuarit kanë një gjasë 54% më të ulët të kenë dhimbje koke. Kurse tek simptomat e lodhjes kronike gjasat e të vaksinuarve për të zhvilluar lodhjen kronike janë 64% më pak, dhimbjet muskulare 68%.
Këto vlera iu përgjigjeshin vlerave të dhënave nga personat që nuk kanë qenë të infektuar asnjëherë me SARS-CoV-2.
Për mjekët familjarë është shpesh shumë e vështirë ta diagnostikojnë qartë Long-COVID. Shpesh pacientët nuk ndjehen të marrë seriozisht, kur paraqesin ankesa të tilla. Simptomat tipike, si lodhja, dobësia e përgjithshme, marrje mendsh, dobësimi i përqëndrimit, dhimbjet e muskujve rrallë lidhen qartësisht me një infektim që ka kaluar.
Long-COVID përfshin një numër të madh simptomash, që mund të shfaqen edhe nga sëmundje të tjera. Prandaj mjekët e kanë të vështirë të përcaktojnë qartë atë, sipas një studimi në Plosmedicine, të shtatorit 2021, për të cilën studiuesit morën të dhënat e 273.618 të shëruarve nga Corona.
Studiues të Universiteteve të Ulmit dhe Amsterdamit kanë gjetur edhe një arsye tjetër, pse duhet të vaksinohesh.
Vaksinat aktuale në treg kundër virusit të Coronës, SARS-CoV-2 ofrojnë një mbrojtje të caktuar kundër viruseve të mëparshme të Coronës, (hCoV) që shkaktojnë gripin normal. Ato veprojnë edhe kundër virusve të para të sars, si SARS-CoV-1.e.a/voxnews