
Një martesë e lumtur është me të vërtetë çelësi për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme, sipas një raporti në Mbretërinë e Bashkuar. Në studimin e parë të këtij lloji, Zyra për Statistikat Kombëtare zbuloi se shkalla e vdekjeve midis burrave dhe grave beqare është deri në dy herë më e lartë në krahasim me ata të martuar.
Analistët studiuan 5 milionë vdekje midis viteve 2010 dhe 2019 për personat mbi moshën 20 vjeç në Angli dhe Uells. Në këtë raport, burrat e divorcuar duket se mbajnë rrezikun më të madh të një vdekjeje të hershme, pasuar nga beqarët dhe më pas në këtë studim vijnë burrat e martuar.
Në mesin e grave – të cilat tradicionalisht jetojnë më gjatë se burrat – shkalla e vdekshmërisë ishte më e lartë tek ato që ishin beqare, e ndjekur nga të vejat dhe të divorcuarat. Ndërsa gratë e martuara kishin një përqindje shumë herë më të vogël se kategoritë më sipër.
Të dhënat e botës reale treguan se njerëzit e martuar shpesh jetojnë më gjatë, më të shëndetshëm dhe më të lumtur. Ekspertët besojnë se kjo është për shkak se partnerët kujdesen për të dashurit e tyre, duke i nxitur ata të bëjnë kontrolle shëndetësore sa herë që shfaqet një sëmundje ose gjendje jo e mirë shëndetësore.
Të qenit i lumtur ka përfitimet e veta shëndetësore që ndihmojnë në uljen e stresit dhe promovimin e një stili jetese të shëndetshme.