Autoritetet amerikane thanë se do të akuzojnë influencerin amerikan, Kai Cenat për shkaktim trazirash e kaosi, për ngjarjet e regjistruara në Nju Jork, ku dhjetra njerëz u grumbulluan pasi Jutuberi premtoi shpërndarje falas të PlayStation 5. Cenat mund të akuzohet për për nxitje të trazirave dhe tubim të paligjshëm. Policia thotë se ka bërë më shumë se 60 arrestime.
Njerëzit u mblodhën fillimisht rreth orës 13:00 me orën lokale pasi Cenat postoi në mediat sociale - ku ai ka më shumë se 10 milionë ndjekës dhe abonentë - se do të shpërndante 300 PlayStations falas.
Deri në orën 15:00, qindra ishin grumbulluar në rrugët përreth një prej stacioneve më të ngarkuara të trenit të Nju Jorkut. Ata u ngjitën në makina dhe në çatinë e hyrjes së stacionit të trenit dhe hodhën shishe ndaj oficerëve të policisë që u munduan t’i shpërndajnë.
Departamenti i Policisë së Nju Jorkut shpalli një mobilizim të "nivelit të katërt", që do të thotë se rreth 1000 oficerë dolën në terren.
Cenat u lidh live në kanalin e tij në Youtube dhe njoftoi ndjekësit se policia po hidhet gaz lotsjellës. "Ne nuk do të bëjmë asgjë derisa të jetë e sigurt. Të gjithë për vete, sepse është një luftë atje".
Kjo thirrje e tij u interpretua si nxitje për trazira dhe Cenat u arrestua rreth orës 17:00. Turma më në fund u shpërnda rreth një orë më vonë.