Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një intervistë për versionin ballkanik të “Russia Today”, lëshoi një sërë sulmesh ndaj udhëheqësve të Kosovës, duke i dalë në mbrojtje Beogradit teksa e vendosi në rolin e viktimës.
Ajo tha se Beogradi është treguar palë konstruktive dhe se dëshiron një zgjidhje kompromisi paqësore. Zakharova përgjigj edhe ndaj akuzave të Kosovës se Serbia, me shtysë nga Rusia, po kërkon luftë.
“Është një gënjeshtër, e cila ka për qëllim diskreditimin e Beogradit dhe largimin e vëmendjes nga spastrimi etnik që po bëhet në Kosovë dhe Metohi. Gjithashtu, është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga Kurti, sjellja e të cilit është bërë normaliteti i ri”, tha Zakharova.
Sa i përket sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, zyrtarja ruse tha se nuk habitet që “populli serb po përpiqet të mbrojë veten”, pas atyre që i quajti “fjalë të tmerrshme të Kurtit në Bruksel, se serbët duhet të paguajnë dhe të vuajnë”.
Zakharova kritikoi KFOR-in dhe EULEX-in me pretendimin se këto forca paqeruajtëse në Kosovë asnjëherë nuk e kanë bërë punën siç duhet, ndërsa sulmoi edhe ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në dialog.