Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, duke kritikuar deklaratat e krerëve politikë shqiptarë dhe të disa liderëve të rajonit.
Vuçiç ka komentuar reagimet në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera të rajonit pas vendimit të Hagës, që dënoi në shkallë të parë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin me një total prej 81 vitesh burgim.
Vuçiç tha se e kishte planifikuar fjalimin e tij në mbrëmje, pasi donte të shihte reagimet e liderëve politikë në rajon.
Ai veçoi reagimin e presidentit Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Presidenti serb iu referua fillimisht deklaratës së Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili pas vendimit shprehu “trishtim të thellë” dhe deklaroi se, sipas tij, UÇK-ja nuk mund të njolloset dhe se “Liria ka Emër”.
Vuçiç e përdori këtë deklaratë për të bërë një krahasim me mënyrën se si do të reagonte publiku ndërkombëtar nëse një zyrtar serb do të përdorte një formulim të ngjashëm për një person të dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare.
“Vetëm imagjinoni sikur një prej zyrtarëve tanë të thoshte: ‘Liria e ka një emër’ dhe të përmendte cilindo serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, tha Vuçiç.
Ai përmendi gjithashtu reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili pas shpalljes së vendimit publikoi në rrjetet sociale fjalën “Marre”.
Vuçiç komentoi edhe reagimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi vendimin si “një padrejtësi të papranueshme” dhe tha se ai duhet të ndryshohet në procesin e apelimit.
Presidenti serb përmendi gjithashtu deklaratat e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, si dhe reagimet e politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, mes tyre Afrim Gashi dhe Ali Ahmeti.
Duke iu referuar këtyre qëndrimeve, Vuçiç tha me ironi: “Dhe unë mendoja se ata ishin kriminelë, të paktën të dënuar në shkallë të parë. Jo, ata janë të gjithë çlirimtarë, heronj dhe heroinat”.
Ai ngriti gjithashtu sipoas pyetje mbi standardet që, sipas tij, aplikohen ndaj Serbisë dhe serbëve në raport me popujt e tjerë të rajonit.