Shefi i Ushtrisë daneze, gjenerali Peter Boysen, ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Danimarkës janë të afta të mbrojnë Groenlandën nëse lind nevoja.
Në një intervistë për televizionin danez TV 2, Boysen theksoi se ushtria stërvitet rregullisht për skenarë realë mbrojtjeje.
“Ne ushtrohemi që të jemi në gjendje të mbrojmë Groenlandën. Mund ta mbrojmë veten”, u shpreh ai.
I pyetur se si do të vepronte në rast se do të përballej me një ushtar amerikan në një situatë armiqësore, Boysen e cilësoi këtë si “spekulim” dhe refuzoi të hynte në detaje.
Ai theksoi se ushtria daneze vepron mbi bazën e urdhrit kushtetues mbretëror, që i jep të drejtën dhe detyrimin për vetëmbrojtje, por nënvizoi se nuk dëshiron të spekulojë mbi skenarë të tillë.
Gjenerali danez shtoi gjithashtu se ushtrimet ushtarake në Groenlandë mund të bëhen më të përhershme, në varësi të situatës.
Sipas tij, pritet rritje e pjesëmarrjes së aleatëve. Të hënën, 58 ushtarë danezë mbërritën në Kangerlussuaq, duke iu bashkuar rreth 60 të tjerëve të dërguar më herët për përgatitjen e stërvitjeve.
Boysen theksoi se nuk e sheh si provokim interesimin e shprehur nga presidenti amerikan Donald Trump për Groenlandën.
“Është e drejtë që ne të kryejmë detyrat tona brenda kornizës së NATO-s dhe në nivel kombëtar, dhe për këtë arsye shkojmë atje për t’u stërvitur”, deklaroi ai.