Departamenti i Thesarit në SHBA ka sanksionuar bankën e tretë më të madhe të Rusisë, Gazprombank.
Vendimi i shpallur të enjten e ndalon Gazprombank-en shtetërore ruse, kanalin kryesor për pagesat e energjisë ruse, dhe gjashtë filialet e saj ndërkombëtare nga sistemi financiar global i dominuar nga SHBA.
Rusia ka përdorur Gazprombank si një kanal për të blerë pajisje ushtarake për luftën në Ukrainë, si dhe për të paguar ushtarët dhe për të kompensuar familjet e të vrarëve në aksion, sipas SHBA.
“Ky veprim gjithëpërfshirës do ta bëjë më të vështirë për Kremlinin shmangien e sanksioneve të SHBA-së dhe financimin dhe pajisjen e ushtrisë së tij”, tha sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen.
“Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa vendimtarë kundër çdo kanali financiar që Rusia përdor për të mbështetur luftën e saj të paligjshme dhe të paprovokuar në Ukrainë”, u shpreh ajo.
Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja vendosën sanksione ndaj Gazprombank në javët e para të luftës në 2022, raporton Financial Times.
Shtetet e Bashkuara më parë kishin shmangur sanksionet kryesisht në mënyrë që vendet evropiane të mund të vazhdonin të paguanin për furnizimet me gaz rus.
Megjithatë, gjatë luftës, BE-ja ka reduktuar ndjeshëm varësinë e saj në gazin e tubacionit rus nga 40 për qind në më pak se 8 për qind të përzierjes energjetike të bllokut.
Sanksionet e reja vijnë pasi kontratat për tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës në vendet evropiane, përfshirë Sllovakinë dhe Republikën Çeke, skadon më 1 janar. Pasi tubacionet Nord Stream që lidhin Gjermaninë me Rusinë nëpërmjet Detit Baltik u hodhën në erë në vitin 2022, ky u bë një nga dy rrugët e vetme me të cilat gazsjellësi rus eksportonte në Evropë.
Kievi ka refuzuar të negociojë një zgjatje të kontratave të tranzitit, që do të thotë se furnizimet e mbetura ruse do të thahen dhe nuk do të duhet të paguhen më. “Marrëveshja me Rusinë nuk do të rinovohet, pikë, fundi i historisë”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në gusht.