Putin zgjat stërvitjen në Bjellorusi, 30 mijë trupat ruse vendosen pranë kufirit me Ukrainën

20 February 2022, 19:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Putin zgjat stërvitjen në Bjellorusi, 30 mijë trupat ruse

Presidenti rus Vladimir Putin dhe aleati i tij, udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko kanë zgjatur stërvitjet ushtarake të cilat do të përfundonin këtë të diel.

Një deklaratë justifikuese përmendi "përkeqësimin e situatës" në Ukrainën lindore si një arsye për mbajtjen e rreth 30,000 trupave ruse në Bjellorusi.

Ky veprim shton frikën se Rusia po planifikon një pushtim të Ukrainës, e cila ndan një kufi të gjatë me Bjellorusinë. Udhëheqësit perëndimorë kanë akuzuar Moskën se po kërkon një pretekst për të dërguar trupa. Rusia ka mohuar se planifikon të pushtojë fqinjin e saj.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se zgjatja e stërvitjeve ushtarake tregon se bota është në prag të luftës.

Korrespondentja e BBC-së për Europën Lindore, Sarah Rainsford tha se njoftimi, i bërë nga Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë është një tjetër sinjal i fortë se Rusia nuk është e gatshme të tërhiqet në qëndrimin e saj me vendet perëndimore për Ukrainën.

Në një telefonatë të dielën, udhëheqësi rus Vladimir Putin i tha presidentit francez Emmanuel Macron se trupat ruse përfundimisht do të largoheshin nga Bjellorusia, tha presidenca franceze. Putin fajësoi ushtrinë ukrainase për përshkallëzimin e tensioneve në Donbas.

Franca tha Macron e Putin ranë dakord të punonin për një armëpushim në linjën e kontaktit në Ukrainën lindore. Ka pasur më shumë shpërthime në zonën e konfliktit lindor të Ukrainës gjatë natës dhe deri të dielën.

Shpërthimet mund të dëgjoheshin nga qyteti Donetsk i kontrolluar nga separatistët, ndërsa të dyja palët thanë se kishin qenë shënjestra të bombardimeve të rënda me artileri dhe mortaja.

Ndërsa pati shpërthime në Donetsk të dielën në mëngjes, rebelët e mbështetur nga Rusia në Luhansk akuzuan forcat qeveritare se kaluan vijën e frontit për të kryer një sulm që vrau dy civilë. Asnjë provë nuk u dha për pretendimin, por hetuesit rusë hapën një hetim.


Video