Kryeministri izraelit Naftali Bennett tha të dielën se Irani mund të bjerë dakord "së shpejti" për një marrëveshje të re bërthamore me fuqitë e mëdha, por paralajmëroi se ajo do të jetë më e dobët se marrëveshja origjinale e 2015-ës.
Bennett po fliste përpara një takimi javor të kabinetit pas indikacioneve se drafti i një marrëveshjeje po merrte formë në bisedimet në Vjenë.
"Ne mund të shohim një marrëveshje së shpejti. Marrëveshja e re që duket se do të arrihet është më e shkurtër dhe më e dobët se ajo e mëparshme”, tha ai.
Marrëveshja bërthamore e Iranit e vitit 2015 i ofroi Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor, por Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 nën presidentin e atëhershëm Donald Trump dhe rivendosën sanksione të rënda ekonomike.
Bisedimet për ringjalljen e paktit fillestar, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), janë mbajtur në kryeqytetin austriak që nga fundi i nëntorit, duke përfshirë drejtpërdrejt Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë indirekte.
Bennett ka qenë një kundërshtar i vendosur i JCPOA dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se çdo e ardhur që Teherani sheh nga lehtësimi i sanksioneve të reja do të përdoret për të blerë armë që mund të dëmtojnë izraelitët.