Presidenti Donald Trump ka folur për gazetarët gjatë aktivitetit të Pashkëve në Shtëpinë e Bardhë.
I pyetur rreth propozimeve të mundshme për armëpushim, për të cilat është raportuar sot, Trump u shpreh: “Nuk është mjaftueshëm mirë, por është një hap shumë i rëndësishëm përpara”.
Trump shtoi se, nëse do të varej prej tij, ai do ta vazhdonte luftën për të marrë naftën e Iranit.
“Po të ishte në dorën time, do ta merrja naftën, do ta mbaja naftën; do të bënim shumë para”, tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se populli amerikan dëshiron që lufta të përfundojë dhe ai dëshiron t’i bëjë ata “të lumtur”.
Presidenti amerikan u pyet gjithashtu se si janë dy pilotët amerikanë të shpëtuar nga Irani, për të cilët tha se “janë mirë”.
Sipas tij, lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, nëse qeveria iraniane bën “atë që duhet të bëjë“.
Trump tha se afati i së martës është përfundimtar, propozimi i Iranit “nuk mjafton”.
Trump deklaroi gjithashtu se përgjigjja e Iranit ndaj një propozimi amerikan për t’i dhënë fund konfliktit ishte e rëndësishme, por jo e mjaftueshme.
“Ata bënë një propozim, dhe është një propozim i rëndësishëm. Është një hap i rëndësishëm. Nuk është mjaftueshëm i mirë,” tha Trump.
Në një moment, duke iu referuar Britanisë së Madhe, siç duket për Kryeministrin Keir Starmer, Trump tha: “Nuk duam një tjetër Neville Chamberlain, apo jo?”
Chamberlain ishte kryeministri i Luftës së Dytë Botërore, i cili u zëvendësua nga Winston Churchill dhe mbahet mend kryesisht për politikën e tij të lëshimeve (paqëtimit) ndaj Gjermanisë naziste përpara fillimit të luftës.