Një fëmijë 4-vjeçar ka arritur të fitojë lojën kukafshehtas me shokët e tij, por është dashur të alarmohet policia për ta gjetur pasi ishte fshehur në mënyrë perfekte.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në Marsala të Siçilisë. 4-vjeçari u fsheh aq mirë sa që shokët e tij nuk po e gjenin dot. Më pas as prindërit nuk po e gjenin, të alarmuar, së bashku me banorët e tjerë ata njoftuan policinë dhe filluan kërkimet.
E teksa e gjithë qyteza po e kërkonte duke thirrur emrin e tij, fëmija qëndronte stoik i fshehur pas derës metalike të një prej banesave duke mos bërë asnjë zhurmë.
Janë dashur disa orë kërkime nga karabinierët për të gjetur djalin e vogël, që tashmë do të duhet të vrasë mendjen për ndonjë vend tjetër se ku të fshihet. Nëse prindërit nuk e detyrojnë të ndryshojë lojën.