Për një vit nëna bullizoi me profil fals vajzën e saj në internet, historia e çuditshme kthehet në film

14 May 2024, 15:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Për një vit nëna bullizoi me profil fals vajzën e saj
Foto ilustruese

Historia e një nëne në SHBA, e cila për gati një vit bullizoi vajzën e saj përmes profileve të rreme në internet, është kthyer tashmë në një film.

Kendra Gail Licari kishte krijuar profile të të rreme në internet, dhe përmes rrjeteve sociale, ajo shpenzoi muaj të tërë duke bullizuar vajzën e saj adoleshente dhe të dashurin e saj, madje gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi edhe me autoritetet e shkollës për, gjoja të zbuluar, se kush ishte bullizuesi i vërtetë, raporton voxnews.al.

43-vjeçarja u dënua me 19 muaj burg në prill të vitit 2023, pasi u deklarua fajtore për dy akuza për përndjekje të të miturve.

Tani historia e saj është kthyer në një film nga Lifetime të quajtur “Mommy Meanest”.

Në fillim të vitit 2021, vajza adoleshente e Licarit filloi të ngacmohej, duke marrë mesazhe të ashpra nga dikush që pretendonte se ishte në të njëjtën moshë me të.

Në shënjestër ishte edhe i dashuri i vajzës, ku edhe ai merrte mesazhe me tekst në rrjete sociale deri në 12 herë në ditë.

Për një vit nëna bullizoi me profil fals vajzën e saj
Kendra Gail Licari

Gjimnazistja i tregoi mamasë së saj për mesazhet dhe Licari shkoi vetë tek autoritetet për të raportuar bullizmin “online”. Madje ajo punoi me nënën e të dashurit në përpjekje për të gjetur "autorin".

Shkolla Beal City nisi hetimet në dhjetor të vitit 2021, kur vajza dhe nëna e saj shkuan për të raportuar mesazhet te autoritetet.

Distrikti më pas thirri forcat lokale të zbatimit të ligjit, por ata nuk mundën ta lokalizonin bullizuesin. Megjithatë, disa muaj më vonë në ndihmë të tyre u thirrën ekspertët kompjuterikë të FBI-së.

Ata zbuluan se Licari po përdorte një rrjet privat virtual (VPN) për të maskuar vendndodhjen e saj.

FBI më pas arriti të gjurmojë adresat IP të përdorura për të dërguar mesazhet dhe zbuloi se ato i përkisnin nënës së vajzës.

Hetuesit thanë se kishte disa qindra mesazhe, me 349 faqe prova të dorëzuara në gjykatë.

Përmbajtja e mesazheve u mbajt private nga prokurorët dhe gjykata, por ato u përshkruan si "shqetësuese" dhe "me shumë urrejtje".

"Unë nuk mund të imagjinoj ndonjë prind që t'i thotë gjëra të tilla kaq të tmerrshme vajzës së saj”, tha gjykatësi Mark Duthie në gjykatë në prill të viti 2023.

Arsyet e Licarit për ngacmimin e vajzës së saj në internet mbeten një mister.

Kur u përball me forcat e rendit, nëna bëri një rrëfim të plotë dhe kështu çështja nuk shkoi në jurinë e gjyqit.

Prokurorja e qarkut Isabella David Barberi tha në atë kohë se dukej se nëna donte që vajza e saj të kishte nevojë për të.

"Dikush tjetër e shpiku termin, por ata e quajnë atë një version të 'sindromës kibernetike të Munchausen' çka duket të jetë një lloi i sjelljes ku po e bëni dikë të ndihet keq në mënyrë që të ketë nevojë për ju në jetën e tyre për shkak të kësaj sjelljeje”, tha Barberi për Local 12 News.


Video