Presidenti amerikan Donald Trump ishte shumë pranë hapjes së një fronti tjetër ushtarak në Lindjen e Mesme, duke urdhëruar Pentagonin të përgatitej për sulme ajrore kundër Huthë-ve në Jemen, përpara se të ndryshonte sërish qëndrim.
Një raportim i New York Times, bazuar te zyrtarë të administratës dhe persona të informuar mbi planifikimin ushtarak, zbulon lëvizjet brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë ditëve që çuan Shtetet e Bashkuara pranë një operacioni të ri ushtarak në Jemen.
Për rreth dy javë, Trump kishte qenë nën presion nga Arabia Saudite për të urdhëruar ushtrinë amerikane të godiste objektivat e Huthë-ve të mbështetur nga Irani.
Situata ndryshoi të enjten, kur Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, telefonoi Trump dhe i kërkoi përsëri ndërhyrjen amerikane për të frenuar avancimin e Huthë-ve.
Vetëm një ditë më parë, Trump u kishte thënë këshilltarëve të tij se nuk favorizonte sulmet.
Por pas telefonatës me princin saudit, ai ndryshoi qëndrim. Trump i kërkoi Pentagonit të përgatitej për sulme ajrore kundër Huthëve. Deri të dielën, përgatitjet kishin avancuar ndjeshëm.
Sipas dy personave të informuar mbi operacionin, komandantët amerikanë kishin miratuar listat e objektivave, trupat po ngarkonin bombat në avionët luftarakë amerikanë të përzgjedhur për misionin dhe vala e sulmeve ishte pranë nisjes.
Por Trump ndryshoi sërish vendim.
Deri në mesditën e së dielës, administrata kishte vendosur se nuk do të kishte sulme amerikane kundër Huthë-ve, të paktën për momentin.
Dilema e Trump
Sipas NYT, vendimi reflekton dilemën me të cilën përballet presidenti amerikan.
Huthë-t kanë shmangur sulmet ndaj anijeve amerikane, por kanë goditur Arabinë Saudite. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni ka nevojë për bashkëpunimin e Riadit në luftën me Iranin.
Në maj, Arabia Saudite kishte penguar efektivisht një plan të administratës Trump për përdorimin e ushtrisë amerikane në shoqërimin e cisternave tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit, duke refuzuar përdorimin e hapësirës së saj ajrore dhe bazave amerikane në territorin saudit.
Kjo i jep Riadit një instrument të rëndësishëm presioni ndaj Uashingtonit.
Brenda administratës amerikane, ndërkohë, pjesa më e madhe e rrethit të afërt të Trump ishte skeptike ose kundër përfshirjes në luftën saudite kundër Huthë-ve, veçanërisht për shkak të presionit që lufta me Iranin tashmë po ushtron mbi ushtrinë amerikane.
Një tjetër front në Lindjen e Mesme
Nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin, sulmet ajrore mund të koordinoheshin me një ofensivë të re tokësore të forcave të qeverisë së Jemenit.
Por zyrtarë amerikanë kanë shprehur dyshime për aftësinë e këtyre forcave për t’u përballur me Huthë-t.
Grupi ka marrë nën kontroll zona strategjike pranë Bab al-Mandabit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare të Detit të Kuq, duke shtuar rrezikun për tregjet globale të energjisë.
Edhe një fushatë e re bombardimesh amerikane nuk shihet si garanci për ndryshimin e situatës.
Në pranverën e vitit 2025, ushtria amerikane bombardoi Houthi-t për më shumë se 50 ditë dhe goditi mbi 1 mijë objektiva, përfshirë radarë, sisteme të mbrojtjes ajrore, pozicione raketash balistike dhe zona për lëshimin e dronëve.
Vetëm gjatë muajit të parë, operacioni konsumoi armë dhe municione me një vlerë prej rreth 1 miliard dollarësh.
Më pak se dy muaj pas nisjes së asaj fushate, Trump shpalli një armëpushim me Huthë-t. Grupi ndaloi sulmet ndaj anijeve amerikane, por që prej atëherë ka rindërtuar një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve të tij.
Zyrtarët e cituar në raportim paralajmërojnë se rifillimi i bombardimeve amerikane mund t’i shtyjë Huthë-t të rikthejnë sulmet ndaj objektivave amerikane, ndërsa paqëndrueshmëria në Hormuz dhe Bab al-Mandab mund të krijojë probleme të tjera për transportin global të naftës dhe gazit.