“Unë jam një burrë thellësisht i dashuruar me gruan time, e cila është e pafuqishme me baltën që i hidhet çdo ditë".
Deklarata, e pazakontë në politikën spanjolle, u bë nga kryeministri Pedro Sánchez përpara se të njoftonte se do t'i duheshin disa ditë për të reflektuar nëse do të tërhiqej, apo jo nga posti i tij.
Në qendër të polemikave dhe vendimit të tij është Begoña Gómez, partnerja e Sanchez për më shumë se 20 vjet.
Gómez, 49 vjeçe dhe e lindur në Bilbao (Spanja veriore), është në qendër të akuzave pasi një gjykatë e Madridit pranoi një padi ndaj saj për “shitjen e ndikimit dhe korrupsionit”. Për këtë arsye bashkëshorti i saj pezulloi axhendën e tij publike për 1 javë.
Padia është bërë nga “Clean Hands”, një organizatë e përfshirë në polemika sepse themeluesi i saj, Miguel Bernad, është një ish-aktivist i ekstremit të djathtë, i cili është bërë i famshëm duke paraqitur padi gjyqësore për rastet e dyshuara të korrupsionit politik që shpesh kanë përfunduar të arkivuara.
Padia bazohet në publikimet e disa medieve spanjolle. Këtë të enjte, Bernard dha një deklaratë në të cilën tha se "gjyqtari tani do të mund të verifikojë nëse informacioni gazetaresk është i saktë apo jo".
Duke qenë gjithmonë në plan të dytë, që kur burri i saj fitoi qeverinë në 2018, Begoña Gómez tani është një pjesë qendrore që mund të përcaktojë ndryshimet e ardhshme politike në Spanjë.
Gómez ka studiuar Marketing, ka kryer master në administrim biznesi dhe është specializuar në mbledhjen e fondeve për organizatat joqeveritare.
Në vitin 1999 ajo nisi punë si këshilltare për entitete dhe biznese si Amnesty International, Intermón Oxfam, Deutsche Bank dhe Old El Paso, sipas gazetës El Correo. Ajo gjithashtu ka një diplomë master në Universitetin Complutense për mbledhjen e fondeve.
Aktualisht, sipas profilit të saj në rrjetin e kontakteve profesionale LinkedIn, punon si drejtoreshë e Katedrës së Jashtëzakonshme të Transformimit Social Konkurrues të po kësaj qendre.
Më parë drejtoi Qendrën e Afrikës në universitetin privat IE, një qendër e dedikuar për promovimin e "një vizioni Afrocentrik të modernitetit dhe të së ardhmes përmes partneriteteve me novatorët afrikanë". Nga kjo punë u largua në vitin 2022.
Në padinë, e pranuar nga Gjykata thuhet se Gómez, duke "përfituar" nga marrëdhënia e saj me kryeministrin "ka rekomanduar ose miratuar një letër rekomandimi me firmën e saj biznesmenëve që aplikojnë për tendera publikë”.
Një nga kompanitë që përfiton nga paratë publike, Globalia, është pronare e linjës ajrore Air Europa, e cila, sipas padisë, pranoi të paguajë 15,000 euro në vit, rreth 16,047 dollarë, për fluturimet e klasit të parë të Gómez dhe këshilltarëve të saj.
Ajo ende nuk ka folur publikisht për këtë çështje, por bashkëshorti i saj thotë në letrën në të cilën njoftoi se po mendon të japë dorëheqjen se këto janë fakte "sa skandaloze në dukje aq edhe inekzistente" dhe se Gómez do të mbrojë "nderin" e saj ne gjyq.
"Begoña dhe unë"
Paraqitja e parë e madhe e Begoña Gómez ishte kur, në vitin 2015, Pedro Sánchez u bë kandidati socialist për të arritur në La Moncloa.
Në fjalimin e tij të shpalljes si kandidat ai u shfaq me Begoña-n, e veshur me të kuqe në krah. Dhe me atë rast, Sanchez i dha gjithnjë e më shumë rëndëis gruas në jetën e tij.
“Faleminderit sepse çdo natë, kur kthehem në shtëpi, gëzimi yt më fshin lodhjen," i tha ai, në një shfaqje dashurie që zakonisht nuk shfaqet në politikën spanjolle.
Jo më kotë. Gómez dhe Sánchez kanë qenë së bashku për më shumë se 20 vjet pasi u takuan në një festë dhe u dashuruan, u martuan në vitin 2006 dhe kanë dy vajza, 19 dhe 17 vjeç, prej të cilave, me kërkesë të prindërve, nuk ka asnjë foto publike.
Por, përtej një jete të përbashkët sentimentale, Begoña Gómez është një shtyllë thelbësore në karrierën politike të Sanchez.
Në librin e tij “Manual de Resistencia”, botuar në vitin 2019, Sánchez e bën të qartë se “e para është Begoña” dhe se ishte ajo që këmbënguli që ai duhet të kandidonte për të udhëhequr partinë e tij, përsëri, pasi u largua nga sekretari i përgjithshëm i PSOE (Partia e Punëtorëve Socialiste Spanjolle) në vitin 2016.
"Ajo e mbështeti familjen," tha Sánchez.
Në një intervistë, Sánchez e përkufizoi atë si "konstruktive, pozitive dhe gjithmonë e sheh gotën gjysmë plot".
Shumë foto, pak deklarata
Edhe pse nuk është anëtare e PSOE, Gómez nuk ka hezituar të mbështesë përpjekjet e Sanchez për të promovuar karrierën e tij politike.
Begonja ka qenë aktiviste në favor të projekteve politike të bashkëshortit të saj. Në fushatën elektorale të qershorit të vitit të kaluar, kur Sanchez ia doli të qëndronte në qeveri, ajo ndau video dhe mesazhe në mbështetje të kandidaturës së tij.
Në LinkedIn, ku është shumë aktive, ajo ka treguar vëmendjen e saj edhe ndaj feminizmit.
Një nga shembujt e fundit është dhënë gjatë skandalit të puthjes së presidentit të atëhershëm të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ndaj lojtares Jenni Hermoso në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Botërorin e Femrave të fituar nga Spanja në Sydney.
Është e zakonshme ta shohësh atë në evente zyrtare si shoqëruese e Pedro Sanchez dhe pas çdo eventi është e zakonshme që shtypi tabloid spanjoll të reflektojë mbi veshjet e saj dhe t'i tregojë ato si trend. Jo më kot, ajo është ndjekëse e rregullt e Javës së Modës në Madrid.
Por nuk ka asnjë intervistë të saj dhe nëse ka ndërhyrë ndonjëherë, deklaratat e saj kanë të bëjnë me Pedro Sánchez.
Megjithatë, nuk është hera e parë që është në qendër të sulmeve dhe ofendimeve. Në disa sektorë të së djathtës dhe të ekstremit të djathtë në Spanjë e quanin "Begoño", me idenë për të përcjellë se ishte një person transeksual, diçka që i ndodhi edhe Michelle Obamës në kohën e saj.
Në një intervistë me gazetarin Jordi Évole, Pedro Sánchez iu referua gjithë kësaj si "mizori që është thënë (për të)... Jo për shkak të transeksualitetit, por për shkak të mënyrës së sulmit personal ndaj saj".
Po ashtu, në të njëjtën intervistë ai tha: “Ka vuajtur, por e ka mbajtur me integritet të madh”./VoxNews -BBC Mundo