I ulur dhe i prangosur, me një kostum të bardhë (ndoshta pizhama), i rrethuar nga ushtarë amerikanë brenda një avioni.
Kështu shfaqet ish‑lideri venezuelian, Nicolás Maduro, në fotografinë e parë të realizuar pas kapjes së tij nga forcat speciale amerikane.
Më herët, në një intervistë për Fox News, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se presidenti venezuelian dhe zonja e parë po mbahen të ndaluara në anijen sulmuese amfibe USS Iwo Jima dhe janë duke shkuar për në Nju Jork për t'u ndjekur penalisht për trafik droge.
Ai zbuloi gjithashtu detaje të operacionit të forcave speciale të SHBA-së në Venezuelë herët këtë mëngjes.
“Ata janë duke shkuar për në Nju Jork. Ata janë paditur në Nju Jork. Fillimisht u çuan në një anije, Iwo Jima dhe do të vazhdojnë për në Nju Jork. U çuan me helikopter. Një fluturim i këndshëm, jam i sigurt se u pëlqeu”, tha më herët Trump.
Edhe pse presidenti nuk donte të zbulonte detaje të operacionit të forcave speciale para konferencës së tij të planifikuar për shtyp, ai tregoi se ishte një operacion kapjeje “i detajuar”, në të cilin sipas tij “ata praktikuan dhe planifikuan gjithçka”.
Sipas mediave amerikane, operacioni u krye nga një njësi e elitës Delta Force, e cila i nxori Maduron dhe Flores nga shtrati dhe i futi në një helikopter.
Gjatë operacionit, Trump pretendoi se njëri prej helikopterëve u godit nga të shtënat me armë zjarri, por nuk u raportuan viktima nga ushtria amerikane.