Mjeku publikoi fotot nga operacioni "i suksesshëm" në zemër në rrjetet sociale, pacienti ndërron jetë disa orë më pas

6 January 2023, 12:48Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mjeku publikoi fotot nga operacioni "i suksesshëm" në

Kardiokirurgu i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, Kushtrim Shala, ka shpërndarë një operacion të kryer si sukses profesional në rrjete sociale, por pacienti ndërroi jetë disa orë pas ndërhyrjes.

Vdekja e pacientit mori vëmendje të madhe dhe Shala mori kritika edhe nga kolegët e tij. Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj ka deklaruar sot se mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për këtë ndërhyrje, pasi nevojitet përvojë e gjatë dhe ekspertizë.

“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, ka deklaruar Brahimaj.

Një reagim ka pasuar nga Shala, i cili i ka drejtuar një përgjigje të ashpër Brahimajt, i cili sipas tij, ka thirrur mediat nga pushimi vjetor për t’u folur lidhur me operacionin e tij. Shala ka thënë se operacioni i diseksionit akut aortik, që ka kryer ai, është jashtëzakonisht vdekjeprurës nëse nuk trajtohet me kohë.

“Pas thirrjes për konsultë urgjente nga Kardiologjia, e kam parë pacientin dhe kam vendosur indikaconin për operim emergjent. Pacienti ishte në margjinat e jetës. Ishte në iskemi të të gjitha organeve të trupit, me paralizë të extremiteteve të majta, shok kardiogjen, hypotension (për shkak të tamponadës)”, ka thënë ai.

Operacioni nuk dihet nëse ka pasur sukses, sepse pacienti ka vdekur pas disa orësh. Ndaj Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë që të kryejë hetime nëse ka pasur vepër penale. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

 


Video