Mesazhet kontradiktore të Donald Trump për Iranin, që kanë hutuar dhe ekipin e tij

1 April 2026, 21:36Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mesazhet kontradiktore të Donald Trump për Iranin, që kanë

Qëndrimet e paqarta dhe shpesh kontradiktore të Donald Trump ndaj Iranit nuk po krijojnë pasiguri vetëm te liderët ndërkombëtarë dhe tregjet financiare, por edhe brenda vetë administratës së tij.

Sipas burimeve të cituara nga Axios, këshilltarët e presidentit amerikan mbeten të paqartë mbi strategjinë reale që ai po ndjek në një nga krizat më të ndjeshme të momentit.

Disa prej bashkëpunëtorëve të Trump sugjerojnë se ai po vepron më shumë me improvizim se sa mbi një plan të mirëpërcaktuar. Ai, sipas tyre, preferon të mbajë të hapura të gjitha opsionet, duke testuar ide të ndryshme përpara audiencave të ndryshme dhe duke reaguar sipas zhvillimeve.

“Në fund, askush nuk e di çfarë mendon realisht”, citohet një këshilltar i lartë. Një ish-zyrtar amerikan shton se plani fillestar ka ekzistuar vetëm për javën e parë, ndërsa më pas vendimmarrja është bërë “në kohë reale”.

Nga ana tjetër, figura si senatori Lindsey Graham sugjerojnë se kjo paqartësi është e qëllimshme: “Ky është plani – të mos kuptoni asgjë”.

“Të jesh i paparashikueshëm”

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e justifikoi këtë qasje duke theksuar se qëllimi është të ruhet paparashikueshmëria përballë kundërshtarëve.

“Pika është të jesh i paparashikueshëm dhe të mos i tregosh askujt se çfarë je i gatshëm të bësh”, deklaroi ai.

Një tjetër zyrtar i administratës e përshkroi situatën si një strategji komplekse: “Nuk është shah 3D, është 12-dimensionale”.

Pavarësisht retorikës së ashpër, Trump ka lënë të kuptohet se mund të kërkojë një dalje të shpejtë nga përballja me Iranin, duke folur për një afat prej “dy deri në tre javësh” për të shpallur një formë fitoreje.

Megjithatë, në prapaskenë, ai po diskuton më shpesh me figura që mbështesin një qasje më agresive, si Lindsey Graham dhe komentatori konservator Mark Levin.

Ndërkohë, SHBA-të po rrisin praninë ushtarake në rajon, duke përfshirë edhe elementë që mund të interpretohen si përgatitje për një ndërhyrje më të gjerë.

Shqetësime nga aleatët

Aleatët kyç në Lindjen e Mesme, si Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, shohin me shqetësim mundësinë që SHBA-të të tërhiqet pa një zgjidhje përfundimtare, duke lënë regjimin iranian të dobësuar, por ende funksional.

Sipas burimeve, disa prej këtyre aktorëve preferojnë një goditje përfundimtare ndaj Iranit, ndërsa vetë Trump duket më i rezervuar për një përfshirje të drejtpërdrejtë në terren.

Një nga opsionet që po diskutohet është një goditje e fortë përfundimtare ndaj infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore iraniane, e ndjekur nga tërheqja e SHBA-ve.

Një tjetër strategji e përmendur është ajo e quajtur “kositja e barit” – ndërhyrje të herëpashershme ushtarake për të dobësuar kapacitetet e Iranit edhe pas përfundimit të përballjes kryesore.


Video