Telashet për Andrew Mountbatten-Windsor kanë hyrë në një rrugë pa kthim për shkak të përfshirjes së tij në skandalin Epstin. Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e një nisme ligjore për përjashtimin e tij nga linja e trashëgimisë së fronit mbretëror.
Ky hap drastik vjen menjëherë pasi Andrew u shoqërua në polici për t’u marrë në pyetje për akuzat për shpërdorim detyre.
Vëllai i Mbretit Charles III aktualisht renditet i teti në radhë për fronin. Heqja nga linja e trashëgimisë nuk është thjesht simbolike dhe sjell pasoja të rënda ligjore dhe kushtetuese.
Andrew do të humbasë menjëherë pozicionin si Këshilltar Shteti, duke i hequr mundësinë për të zëvendësuar mbretin në raste sëmundjeje. Lëvizja i heq atij edhe mbrojtjen e mbetur protokollare, duke e shndërruar ligjërisht në një qytetar të thjeshtë, plotësisht të përgjegjshëm para drejtësisë pa asnjë “mburojë” mbretërore. Sondazhet tregojnë se 82% e britanikëve e mbështesin këtë vendim.
Javën e ardhshme, një komision i fuqishëm deputetësh britanikë do të mblidhet urgjentisht për të diskutuar nisjen e një hetimi zyrtar mbi rolin e tij, si i dërguar tregtar i Britanisë.
Policia po merr në pyetje oficerët e tij të sigurisë për dyshimet e përdorimit të aeroporteve shtetërore për trafikim njerëzor, duke e bërë izolimin e tij nga Kurora, një domosdoshmëri për mbijetesën e monarkisë.