Konkretisht, Ministria e Jashtme Gjermane kërkon nga blloku vendim për t’u ndaluar hyrjen në vendet anëtare si dhe ngrirjen e pronave apo pasurive të përgjegjësve në Iran.
Protestat më të qëndrueshme ndër vite kundër teokracisë së Iranit kanë hyrë tashmë në javën e katërt të tyre. Ato nisën më 17 shtator, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, një vajze kurde, e cila vdiq në paraburgim. E reja u arrestua nga e ashtuquajtura policia e moralit, nën dyshimet se kishte shkelur kodet e rrepta islame për veshjen e grave e vajzave.
Protestat janë përhapur tashmë në të gjithë vendin dhe po përballen me një goditje të ashpër, që sipas vlerësimeve ka shkaktuar dhjetëra të vrarë e qindra të arrestuar.
"Ata që rrahin gratë dhe vajzat në rrugë, e ndalojnë në mënyrë arbritrare ata që veçse kërkojnë të jetojnë të lirë duke i dënuar me vdekje, qëndrojnë në anën e gabuar të historisë", citohet të ketë thënë ministrja e Jashtme gjermane për gazetën 'Bild am Sonntag'.
“Ne do të bëjmë të mundur që BE-ja t'u ndalojë hyrjen atyre që janë përgjegjës për këtë shtypje brutale e të ngrijë pronat e tyre në BE”, shtoi ajo. "U themi njerëzve në Iran: Ne qëndrojmë dhe mbetemi pranë jush".
Por zonja Annalena Baerbock nuk përmendi ndonjë individ apo organizatë specifike që Gjermania kërkon të ndëshkohet përmes sanksionesh.