Franca i bën thirrje Kosovës të mos bëjë ndonjë “veprim tjetër të njëanshëm” në veri

9 August 2024, 19:07Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Franca i bën thirrje Kosovës të mos bëjë ndonjë
Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Franca i ka bërë thirrje Kosovës të premten të vetëpërmbahet nga ndërmarrja e ndonjë “veprimi tjetër të njëanshëm”, i cili mund t’i përshkallëzojë edhe më shumë tensionet në veri të vendit, pas synimeve për rihapjen e urës mbi Ibër.

Reagimi i Francës vjen pasi autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime gjatë kësaj jave në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Franca e dënon fuqishëm rritjen e papritur të veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat prekin jetën e përditshme të komunitetit serb”, thuhet në një njoftim Ministrisë së Jashtme të Francës, raporton Radio Evropa e Lire.

Të enjten, autoritetet kosovare kryen inspektime në urban mbi lumin Ibër në një fazë testimi para rihapjes së synuar të saj, ndërsa në fillim të javës ato i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër rihapjes së urës mbi Ibër.

Vendet e QUINT-it – pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britanin e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Sipas Francës, veprimet e autoriteteve kosovare i rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “që është parakusht për realizimin e perspektives evropiane për të dyja vendet”.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t'i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

KFOR-i tha të premten se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenarë në të ardhmen” nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.


Video