Bashkimi Europian ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake që prej pushtimit të plotë rus të Ukrainës, por aftësia për të përballuar në mënyrë të pavarur një konflikt me intensitet të lartë deri në vitin 2030 mbetet në pikëpyetje.
Sipas një raporti të Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), të raportuar nga The Guardian, pengesat kryesore mbeten fragmentimi i sistemeve kombëtare të mbrojtjes, kapacitetet e pamjaftueshme të industrisë ushtarake dhe varësia nga Shtetet e Bashkuara.
“Arritja e gatishmërisë së mbrojtjes në BE deri në vitin 2030 mbetet sfiduese”, tha Marek Opioła, anëtar i ECA-së që drejtoi shqyrtimin. “Ka ende vështirësi të mëdha, si sistemet e fragmentuara kombëtare apo pengesat industriale. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështetemi te Shtetet e Bashkuara.”
BE-ja e vendosi vitin 2030 si objektiv për gatishmërinë e saj mbrojtëse pasi shërbimet e inteligjencës paralajmëruan se Rusia mund të jetë në gjendje të zhvillojë një luftë në shkallë të gjerë në Evropë rreth asaj periudhe.
Sipas raportit, shpenzimet e mbrojtjes të vendeve të BE-së u rritën me 79 për qind nga viti 2020 deri në vitin 2025. Megjithatë, bashkëpunimi i pamjaftueshëm mes qeverive rrezikon të krijojë mbivendosje të investimeve, ndërsa boshllëqe të rëndësishme në kapacitetet ushtarake mund të mbeten.
Një nga dobësitë kryesore është varësia nga furnizuesit jashtë Europës. Nga shkurti 2022 deri në qershor 2023, 78 për qind e blerjeve të mbrojtjes të qeverive të BE-së erdhën nga jashtë bllokut, ndërsa vetëm Shtetet e Bashkuara përbënin 63 për qind.
Kjo varësi krijon një tjetër dilemë për Brukselin: nevojën për të siguruar shpejt armë dhe municione përballë kërcënimeve të menjëhershme dhe, në të njëjtën kohë, objektivin për të zhvilluar industrinë evropiane përmes politikës “Buy European”.
Rasti i Ukrainës e ka nxjerrë këtë përplasje edhe më qartë. Pas një vere me sulme të rënda ruse me raketa dhe dronë, Kievi ka kërkuar përjashtim nga rregullat evropiane të prokurimit për të përdorur kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për blerjen e interceptorëve amerikanë Patriot.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se kërkesa ukrainase për mbrojtjen ajrore arrin në “disa miliardë euro”.
Audituesit pranojnë se, për nevoja urgjente, blerjet jashtë Evropës mund të jenë të domosdoshme. Por paralajmërojnë se BE-ja duhet paralelisht të krijojë kapacitetet e veta për pajisjet kritike.
Në vlerësimin e tyre, Europa është sot shumë më e përgatitur ushtarakisht sesa disa vite më parë. Por objektivi për të pasur deri në vitin 2030 autonomi strategjike dhe aftësinë për të mbështetur në mënyrë të pavarur një luftë me intensitet të lartë mbetet ende larg të qenit i garantuar.