Australia po ndjek me interes përpjekjet e Kanadasë për të krijuar një marrëdhënie më të thellë me Bashkimin Evropian, ndërsa edhe Canberra kërkon të diversifikojë lidhjet e saj tregtare.
“Jemi në të njëjtën linjë”, deklaroi ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, për “Sydney Morning Herald”.
“Do të ndjekim me shumë interes atë që do të bëjë Carney”, shtoi ai, duke iu referuar kryeministrit kanadez Mark Carney.
Kanadaja po kërkon një “aleancë unike” me Bashkimin Evropian, por jo anëtarësimin në bllok. Lëvizja vjen në një kohë kur Otava po përballet me një përshkallëzim të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Farrell nuk dha detaje nëse Australia po kërkon aktualisht një marrëdhënie të re me BE-në apo se çfarë forme mund të marrë ajo.
Edhe Australia po përpiqet të diversifikojë marrëdhëniet e saj tregtare pasi është përballur me tarifa amerikane ndaj një sërë eksportesh, pavarësisht aleancës së saj të gjatë të sigurisë dhe marrëveshjes së tregtisë së lirë me Washington-in.
Sipas “Wall Street Journal”, Kanadaja dhe BE-ja po diskutojnë mundësinë që mallrat, shërbimet dhe punonjësit kanadezë në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë, inteligjencën artificiale, mbrojtjen dhe mineralet kritike, të mund të lëvizin lirshëm.
Bisedimet përfshijnë gjithashtu projekte të përbashkëta infrastrukturore, si kabllot nënujore, qendrat e të dhënave, ruajtjen në “cloud”, rrjetet satelitore dhe infrastrukturën për transportimin e energjisë kanadeze drejt Evropës.
Farrell tha se Australia është e hapur ndaj mundësive për marrëveshje të reja me BE-në.
“Bota po ndahet mes proteksionistëve dhe mbështetësve të tregtisë së lirë”, deklaroi ai.
“Është e padiskutueshme se prosperiteti i Australisë gjatë 50 viteve të fundit ka ardhur nga angazhimi ynë me botën”, shtoi ministri.
Australia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan në mars një marrëveshje të tregtisë së lirë, pas tetë vitesh negociata, duke hequr tarifat për pothuajse të gjitha mallrat.