
Lëvizja Vetëvendosje fituese e zgjedhjeve e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.
LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.
Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj partia e të cilit i ka tre deputetë dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.
Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.
Ajo ka kërkuar, po ashtu, të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas afatit të 26 korrikut.
“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”, tha e para e shtetit.
PDK-ja dhe AAK-ja thanë se kërkesa e Osmanit për Kushtetuesen i jep kohë LVV-së, ndërkaq Limaj tha se sqarimet e kërkuara nga presidentja hapin rrugë për zgjidhje.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme për Kushtetuesen.
“Çështja lëviz vetëm atëherë kur të ketë një qartësi nga Gjykata Kushtetuese sa u përket pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit, dhe të drejtës së partisë së parë për të propozuar”, tha ai.
Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.
Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja./rel