Franca njoftoi se do të njohë shtetin e Palestinës, SHBA: Vendim i pamatur!

25 July 2025, 07:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Franca njoftoi se do të njohë shtetin e Palestinës, SHBA: Vendim
Emmanuel Macron

Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar planin e presidentit francez, Emmanuel Macron për të njohur një shtet palestinez.

Qëndrimi u bë me dije nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i cili u shpreh se vendimi është i pamatur dhe i shërben vetëm propagandës së Hamasit.

"Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë me forcë planin e Emmnuel Macron për të njohur një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe pengon paqen. Është një shuplakë në fytyrë për viktimat e 7 tetorit.”, shkroi Rubio.

Hamasi përshëndeti angazhimin e Francës për të njohur shtetin e Palestinës si një hap pozitiv, duke u kërkuar vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë pavarësisht kritikave izraelite.

"Ne besojmë se ky është një hap pozitiv që shkon në drejtimin e duhur për t'i sjellë drejtësi popullit tonë të shtypur palestinez dhe për të mbështetur të drejtën e tyre legjitime për vetëvendosje", tha Hamasi në një deklaratë pas njoftimit të Presidentit francez Emmanuel Macron se Parisi do ta njihte zyrtarisht shtetin e ri në shtator.

"Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve në botë, veçanërisht kombeve evropiane dhe atyre që ende nuk e kanë njohur Shtetin e Palestinës, të ndjekin shembullin e Francës", shtoi Hamasi.


Video