DEA e çon shpërblimin në nivele rekord për djemtë e El Chapos

27 April 2023, 13:55Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
DEA e çon shpërblimin në nivele rekord për djemtë e
El Chapo

Agjencia Amerikane e Antidrogës (DEA) ka dyfishuar së fundmi shpërblimin për këdo që ka informacione që do të çojnë në kapjen e djemve të El Chapos, në përpjekje për të shpartalluar një herë e përgjithmonë organizatën famëkeqe kriminale që dikur drejtohej nga babai i tyre.

Karteli i Sinaloas, të cilit mendohet se tani e drejtojnë djemtë e Joaquin Guzman, konsiderohet nga autoritetet amerikane si një prej furnizuesve kryesorë të fentanilit (një drogë sintetike 100 herë më e fuqishme se morfina) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

DEA tani ofron 10 milionë dollarë për Iván Archivaldo Guzmán Salazar dhe Jesús Alfredo Guzmán Salazar. Shifra është ndër më të lartat e ofruara ndonjëherë në historinë e drejtësisë amerikane.

Për babain e tyre, shifra më e lartë e vendosur ka qenë 5 milionë dollarë, ndërsa për liderin e Al-Qaeda, Ayman al-Zawahiri, ishte vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh.

DEA gjithashtu futi edhe Iván Archivaldo-n në listën e 10 personave më të kërkuar, duke iu bashkuar kështu vëllait të tij Jesús Alfredo. Bashkë me vëllain tjetër, Ovidio Guzmán López, i cili është arrestuar në Meksikë dhe do të ekstradohet në SHBA, ata drejtojnë gjysmën e kartelit.

Sipas autoriteteve meksikane dhe amerikane, bosi tjetër i organizatës është 75-vjeçari Ismael “El Mayo” Zambada, bashkëpunëtor i hershëm i El Chapos. Për të, DEA ofron një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.

Të njohur si “Los Chapitos”, tre vëllezërit morën pushtet fillimisht në janar 2016, pas arrestimit të babait të tyre, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm në SHBA.

Sipas Departamentit të Drejtësisë në SHBA, Karteli i Sinaloas mbetet një prej organizatave kriminale më të rëndësishme në botë.



Video