Departamenti Amerikan i Shtetit nuk mbështet asnjë ndryshim të statusit aktual të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Këtë e tha një zëdhënës i DASH për median Pavlovic Today.
“Hapja e urës për qarkullimin e automjeteve shton rrezikun për dhunë dhe vë në rrezik popullsinë lokale e po ashtu ushtarët e KFOR, përfshirë atë amerikanë, që punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke u bërë jehonë deklaratave të ambasadorit Hovenier.
Ai i bën thirrje qeverisë në Prishtinë të përmbahet nga vendimet e njëanshme e të pakoordinuara dhe që ta adresojë çështjen brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Departamenti i Shtetit thekson se ky qëndrim përputhet me atë të partnerëve të QUINT-t e po ashtu BE dhe NATO.
Sakaq, kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër vendeve partnere të Kosovës.
Një ditë pas deklaratave të ambasadorit amerikan Jeffry Hovenier se me hapjen e urës rrezikohen ushtarët amerikanë, Kurti garantoi se konsultimet në lidhje me këtë çështje do të vijojnë me ndërkombëtarët.
“Besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë”, tha Kurti.