Chikungunya përhapet në Francë dhe Itali, OBSH paralajmëron rrezik global

27 July 2025, 15:12Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Chikungunya përhapet në Francë dhe Itali, OBSH paralajmëron

Pas përhapjes së virusit West Nile, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për një kërcënim të ri shëndetësor, virusin Chikungunya.

Ky virus i transmetuar nga mushkonjat e infektuara shkakton sëmundje virale karakterizuar nga simptoma të tilla si temperaturë e lartë, dhimbje koke, lodhje e fortë dhe dhimbje të thella në nyje. Chikungunya ka shkaktuar në të kaluarën epidemira serioze me qindra mijëra të prekur në mbarë botën, dhe tashmë po paraqitet sërish me intensitet në disa zona.

Në Evropë, Franca është vendi më i prekur deri tani, me rreth 800 raste të raportuara nga 1 maji deri më 22 korrik 2025, kryesisht në zonat ku mushkonjat Aedes, përfshirë edhe zanzarën tigër, janë më të përhapura. Ndërsa Italia ka regjistruar rastin e parë të konfirmuar në Bentivoglio, provinca e Bolognas, ku po kryhen menjëherë hetime epidemiologjike për të identifikuar mënyrën e përhapjes dhe kontaktet e pacientit. Një rast tjetër i dyshuar në të njëjtën zonë po merret në shqyrtim nga autoritetet shëndetësore.

Për të parandaluar përhapjen e virusit, autoritetet italiane kanë aktivizuar një plan emergjent, që përfshin gjurmimin e aktiviteteve të pacientit para shfaqjes së simptomave, bashkëpunimin me administratat lokale dhe hetimin epidemiologjik të familjarëve të tij. Masat janë të fokusuara në ndërhyrjen e shpejtë dhe kontrollin e mushkonjave për të penguar shpërthimet më të mëdha.

Chikungunya është një virus tropikal, i përhapur nga mushkonjat e zhanrit Aedes, që përfshin edhe mushkonjën tigër, e njohur për transmetimin e sëmundjeve të tjera si Dengue dhe Zika. E para epidemi e njohur daton që nga viti 1952 në Tanzani, por shenjat më të hershme janë dokumentuar që në vitin 1779 në Indonezi. Sot, kjo sëmundje është raportuar në më shumë se 60 vende në botë, duke përfshirë rajone të Azisë, Afrikës, Evropës dhe Amerikës.

Simptomat e zakonshme përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, lodhje të theksuar dhe dhimbje të forta në nyje, të cilat mund të zgjasin disa javë. Komplikacionet serioze janë të rralla, por mund të përfshijnë probleme hemorragjike ose neurologjike, dhe në raste shumë të rralla, sidomos tek të moshuarit me sëmundje të tjera shoqëruese, sëmundja mund të jetë fatale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon masa parandaluese të forta për të mbrojtur veten nga mushkonjat, duke përdorur repelentë, duke veshur rroba të gjata në orët kur mushkonjat janë më aktive (mëngjes dhe mbrëmje), duke vendosur rrjeta në dritare dhe duke pastruar rregullisht vazo me ujë të stagnuar ku mund të shumohen mushkonjat.

Situata aktuale tregon nevojën e rritjes së vëmendjes ndaj sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat, sidomos në një botë ku ndryshimet klimatike dhe globalizimi po rrisin përhapjen e këtyre viruseve edhe në zona ku më parë nuk ishin të përhapura.


Video